Foto: Facebook/HashimThaci

VIDEO - Çka thoshte Hashim Thaçi në 2018 për kërcënimet e Serbisë me afrimin e ushtrisë në kufi?

Kërcënimet e Serbisë se do ta afronte ushtrinë e saj në kufi me Kosovën në vitin 2018, ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në emisionin “Jeta në Kosovë” i kishte quajtur boshe dhe të thata.

Në atë kohë, ish-presidenti Thaçi këto kërcënime të Vuçiqit i kishin përngjarë me liderin e Koresë Veriore, Kim Joung, konkretisht kërcënimet e Koresë Veriore ndaj Amerikës apo ato të Palestinës ndaj Izraelit.

Sipas ish-presidentit Thaçi në rast se Vuçiq e kishte nisë ushtrinë në Kosovë, e kishte kthyer “sikur trenin në gjysmë të rrugës dhe s’iu ishte kthyer asnjë ushtarë në Serbi”.

“Bisedat e tij telefonike me njerëz të Bjellorusisë apo anej e knej, ai tregon orientimin kah e ka Serbia, ndërsa kërcënimet e tij asnjë përshtypje bash kujt në Kosovë, lëre mu nuk më kanë bo, as nuk më kanë bo kurrë as të Millosheviçit, as të Vuçiqit” – kishte thënë Thaçi në mars të 2018 në emisionin “Jeta në Kosovë”.

Ish-presidenti Thaçi nuk e kishte përjashtuar mundësinë që Vuçiq do të arrestonte qytetarë shqiptarë, pasi sipas tij, vazhdimisht kishte arrestuar.

Ai kishte theksuar se “zero” do të jetë toleranca në raport me shkeljen e ligjit, integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës.

“Unë nuk mund i ndjeki nëpër male kush ka hyn, por po tregoj prej zyrtarëve serbë, ata që nuk marrin leje do ta kenë përgjigjen e njëjtë” – ishte përgjigjur Thaçi për arrestimin zyrtarëve serbë në rast se kalojnë ilegalisht kufirin e Kosovës.

Se pse nuk e kishte arrestuar Policia Millan Radoiçiqin kur ishte i dyshuar për vrasjen e politikanit opozitar serb nga veriu i Kosovës, Oliver Ivanoviq, Thaçi kishte kërkuar të pyetet Policia dhe Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës.

Në anën tjetër, ai nuk e kishte biseduar me këto institucione këtë çështje, pasi kishte vlerësuar se nuk është çështje e tij të merret me individë.

“Unë nuk e di Policia e Kosovës çka ka punu në raport me ta, nuk e di se deri ku kanë shkuar zhvillimet në raport me të. Kam lexuar në media të ndryshme që qëndron pas kësaj, pas asaj, po nuk mund të predikoj as nuk mund të spekuloj” ishte shprehur Thaçi.

Në këtë rast, Thaçi kishte bërë të ditur se nuk është takuar ndonjëherë me Millan Radoiçiqin ani pse ky i fundit kishte kërkuar që ta takonte, mirëpo e kishte refuzuar.

Oliver Ivanoviq, që udhëhiqte nismën qytetare “Liria, demokracia, drejtësia” (SDP), u vra më 16 janar 2018 para objektit të partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.

Në aktakuzë të Prokurorisë Speciale të Kosovës përmenden Radoiçiq dhe Vesellinoviq si “udhëheqës të një grupi kriminal” që planifikoi vrasjen e politikanit, Oliver Ivanoviq.

Më 2019, Kosova lëshoi një urdhërarrest për Radoiçiqin nën dyshimin se kishte lidhje me vrasjen e Ivanoviqit.

Mirëpo, ky fletarrest për Radoiçiqin u tërhoq në mars të vitit 2021 pa ndonjë shpjegim, dhe që nga ajo kohë ai është parë disa herë në veri të Kosovës deri më 24 shtator 2023.

Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe e ka marr përgjegjësinë për sulmin terrorist të kryerë mëngjesin e datës 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.

Ai është arrestuar të martën në Beograd dhe është liruar të mërkurën.

Sipas vendimit të Gjykatës në Beograd, i është caktuar masa e ndalimit të largimit nga vendbanimi dhe iu është ndaluar nga territori i Serbisë pa aprovim nga Gjykata.

Gjithashtu, Radoiçiqit i ndalohet edhe ardhja në Kosovë.

Sipas këtij vendimi, ai do të duhet të paraqitet në stacionin policor kompetent në datat 1 dhe 15 të çdo muaji.

Atij gjithashtu sipas vendimit gjykatës i është konfiskuar pasaporta.