VIDEO - Çka tha Prokurori në Gjykatë për rastin e shpërthimit në “Tregun e Kafshëve” në Prizren

Në Gjykatën e Prizrenit sot u mbajt seanca dëgjimore lidhur me kërkesën e prokurorisë për caktimin e paraburgimit për Remzi Murtezin, i dyshuari për shpërthimin në tregun e kafshëve që ndodhi më 22 mars në Prizren.

Sipas prokurorit Labinot Jetishi, dy tw dyshuarit, pas një mosmarrëveshje me të dëmtuarit, në bashkëpunim me Xhevdet Selimin i cili akoma nuk është arrestuar, aktivizojnë dhe hedhin një mjet shpërthyes i cili kishte fuqinë e përhapjes së pakontrolluar.

Përmes këtij shpërthimi të dëmtuarve A.S, B.S, B.P, M.B N.B, M.S, A.M, F.S dhe B.V kanë pësuar lëndime të ndryshme trupore.

Mjeti shpërthyes, sipas Prokurorisë, mbetet ende i panjohur.

Nga këto veprime të të akuzuarve Prokuroria tha se është shkaktuar rrezik për jetën e njerëzve prandaj në këtë fazë Prokuroria konsideron se ekziston dyshimi se të akuzuarit kanë kryer veprën penale të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm.

Këtë dyshim Prokuroria ka deklaruar se e bazon në raportet policore, deklaratat e dëshmitarëve si dhe raportet mjekësore.

Sipas Prokurorit ekziston rreziku i ndikimit në dëshmitarë nga ana e të akuzuarit.