Vetura e gazetarëve e fletorja e fëmijëve të Jasharajve - Gazetarët që punuan gjatë luftës flasin për artefaktet e ekspozitës 'Reporting House'

Në konferencën për ekspozitën “Reporting House” e cila do të hapet sot, më 10.06.2024, panelistët treguan detaje për disa prej artefakteve që do të ekspozohen.

Vaughan Smith, producent dhe kameraman i reportazheve të BBC-së dhe të televizioneve të tjera gjatë luftës në Kosovë foli për veturën që u shërbeu gazetarëve gjatë luftës në Kosovë e që është vendosur jashtë ish-shtëpisë së mallrave “Gërmia” ku do të qëndrojë për tre muaj edhe ekspozita.

“Landrover që e keni jashtë është ai që është parë më së shumti në Drenicë. Është një Landrover standard i prodhuar në Angli, ka qenë i blinduar dhe ka qenë më i zakonshmi. Ka qenë në dispozicion të gazetarëve të ndryshëm. Ka qarkulluar në çdo cep të Kosovës, ka ngecur në baltë shpesh por megjithatë ka qenë i fortë” – tha Smith, i cili është drejtor ekzekutiv i “Frontline Club” dhe themelues i “Frontline Television News”.

I pyetur për këtë automjet, ai po ashtu tregoi se vetura ka qenë e prishur por e kanë rregulluar pak sa për ta sjellë në Kosovë.

“Pas luftës e kam mbajtur, ka qenë si shtëpi e imja dhe Jeta (Xharra) më ka thënë që a ta marrim ta ekspozojmë. Unë i thash që nuk punon por vendosem ta rregullojmë pak. Gjatë rrugës, nuk i kanë punuar dritat, por ia dolëm, e solla veturën. Mos e këqyrni nga aspekti mekanik” – tha Smith.

Fletorja e fëmijëve të familjes Jashari që Donika Shahini– Lami e ka ruajtur dhe e ka sjellë në ekspozitë është gjëja më e shtrenjtë për të, pas fëmijëve të saj.

“Kjo fletore është gjëja më e shtrenjtë pas dy vajzave të mia. E kam dhuruar më kënaqësi për ekspozitën. Fletorja paraqet një histori. Ata fëmijë kanë pas ëndrra kanë qenë si të gjithë të tjerët” – tha Shahini– Lami, e cila ka punuar si gazetare dhe përkthyese gjatë luftës për Televizionin Publik Japonez NHK dhe revistën KOMBI.

Sot si drejtoreshë e Qendrës Kosovare të Shëndetit Mendor “Ora”, ajo shpreh falëndërimin e saj për punën e gazetarëve në atë kohë.

“Populli kosovar është falënderues përgjithmonë për punën që e kanë bërë ata në Kosovë gjatë luftës. Kur kam shkuar me mediumin japonez në Prekaz unë e gjej një fletore ku është një pjesë e historisë së atyre të fëmijëve të familjes Jashari. Punë tjetër e jashtëzakonshme edhe e puna e gazetarëve kosovarë dhe të huaj” – tha ajo.

E prodhuar nga BIRN Kosova, KALLXO.com, Bienalja e Prishtinës dhe Paper Gallery, ekspozita “Reporting House” apo “Shtëpia e gazetarëve” prezanton punën e gazetarëve, fotografëve dhe artefakte të punonjësve të mediave, punë këto që vendosen krahas veprave të artit bashkëkohor që reflektojnë mbi ndikimin e luftës në dekadat që pasuan.

Ekspozita e REPORTING HOUSE u mundëson vizitorëve të udhëtojnë në konfliktin që po vlonte gjatë viteve 1990, nga i cili lindi lëvizja guerile e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që më vonë shpërtheu në luftë në vitet 1998-1999 dhe kulmoi me 11 javë të sulmeve ajrore të NATO-s që çuan në çlirimin e Kosovës dhe në pavarësinë e saj në vitin 2008. Ekspozita shpalos draftin e parë të kësaj historie të shkruar nga gazetarët dhe demonstron rolin qendror që e ka luajtur media krahas interpretimeve artistike të mëvonshme të kësaj historie. Publiku ftohet që ta kuptojë më tej historinë e jashtëzakonshme të Kosovës, ndërsa ekspozita është e hapur për bashkëpunim për zhvillimin e saj të mëtejshëm.

Si pjesë e kësaj ekspozite prezantohen rreth 150 storje televizive të rrjeteve televizive botërore që janë transmetuar me xhirime për Kosovën ndërmjet viteve 1992 dhe 1999 nga BBC, Das Erste (TV publik gjerman), Nippon TV, NHK (TV publik japonez), RTE (TV publik irlandez), EO 2 Vandaag (TV publik holandez), Tele 5 (TV Spanjoll) dhe Frontline Television Neës. Këto reportazhe promovojnë punën e gazetarëve, fotografëve, operatorëve të kamerave dhe përkthyesve e producentëve lokalë që punuan në to.

Ekspozita do të jetë e hapur deri në mes të shtatorit 2024.

Më 10 qershor në Prishtinë lansohet ekspozita ‘REPORTING HOUSE’