Vetëvendosje thotë që raporti i progresit lavdëroi qeverinë Kurti

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se në Raportin e Progresit për vitin 2020 janë theksuar veprimet e qeverisë të cilës i printe Albin Kurti.

Taulant Kryeziu, nga LVV ka thënë se Kosova mbetet ende larg integrimit në Bashkimin Evropian, madje sipas tij, është edhe pas Bosnje Hercegovinës.

“Derisa e kemi Serbinë që ka hapur 18 kapituj dhe ka mbyllë 2, Mali i Zi 33 kapituj i ka hapur dhe ka mbyllë 3, Shqipëria dhe Maqedonia pritet së shpejti, nga dhjetori që të fillojnë takimin e parë ndërqeveritar që shënon fillimin e negociatave dhe Bosnja e cila ka 14 kritere për ta marr statusin e vendit kandidat, i bie që ne jemi edhe prapa Bosnjës, pra jemi vendi i fundit në rrugëtimin tonë drejtë BE-së”, deklaroi ai në një konferencë për media.

Tutje, ish-zëvendësministri i Integrimit Evropian tha se në raport janë theksuar disa prej veprimeve të mira të qeverisë Kurti.

“Ne jemi të kënaqur me gjuhën që ka përdorur raporti sa i përket qeverisë Kurti. Thotë qeveria Kurti ka fokusuar programin e saj në luftë korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe zhvillimit ekonomik. Qeveria Kurti ka anuluar vendimet kontroverse të qeverisë Haradinaj si dhe ka shkarkuar bordet e ndërmarrjeve publike si rezultat i parregullsive dhe mungesës së transparencës sipas raporteve të auditorit”, tha ai.

Ndërsa, Kryeziu ka kritikuar qeverinë e Avdullah Hotit.

“Ka një dallim sesi i qaset kohës kur ne kemi qenë në qeverisje  dhe si i qaset gjuha qeverisë jolegjitime të Avdullah Hotit. Kur flet për qeverinë Kurti, flet për zhvillim ekonomik, për luftim të krimit dhe korrupsionit ndërsa kur i adresohet qeverisë jolegjitime Hoti, kryesisht fillon dhe përfundon te dialogu me Serbinë. Procesi i integrimit evropian nuk është dialogu me Serbinë”, tha ai.