Pas hulumtimit të KALLXO.com, dorëhiqet anëtari i Vetëvendosjes nga bordi i “KRU Gjakova”

Jeton Haxhijaha nuk është më anëtar i bordit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”. Pas hulumtimit të KALLXO.com, Haxhijaha ka dhënë dorëheqje nga pozita në të cilën është emëruar nga Qeveria e Kosovës disa muaj më parë.

Para disa ditëve, KALLXO.com raportoi se si Qeveria e Kosovës ka injoruar tetë kandidatë që janë vlerësuar me më shumë pikë dhe ka emëruar Jeton Haxhijahën, në bordin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”. Haxhijaha, i cili ishte renditur i 12-ti në listën prej 15 kandidatëve të rekomanduar, është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Lajmin për dorëheqjen e ka konfirmuar vetë Jeton Haxhijaha. Ai tha se nuk ka pasur ndonjë presion për të marrë këtë vendim.

“Po valla, kam dhënë dorëheqje. Nuk jam i sigurt kur, diku para datës 10 ka qenë, me 7 ose 6 shtator. Jo, nuk kam pas presion nga askush. Leje s’kam mujt me marrë, e u dashtë me u tërheqë, problemi është te unë” – tha ai.

“Arsyeja është personale, me punëdhënësin nuk jam marrë vesh, me punëdhënësin tim privat për shkak të procedurave të brendshme. S’kam mujt me marrë aprovimin e menaxhmentit për me vazhdu edhe në punën e bordit” – deklaroi tutje Haxhijaha.

KALLXO.com raportoi më 14 shtator për emërimin e Haxhijahës në bordin e “KRU Gjakova”.

Jeton Haxhijaha e ka pranuar për KALLXO.com se është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje duke potencuar se është anëtar i thjeshtë dhe nuk ka aktivitet në parti.

Haxhijaha në Facebook ka të publikuar edhe fotografi me deputetin e LVV-së nga Rahoveci, Visar Korenica. Edhe vetë Haxhijaha është nga komuna e Rahovecit.

Deputeti i LVV-së, Visar Korenica, gjithashtu e ka mohuar se partia ka gisht në emërimin e Haxhijahës. Madje ka thënë se përgatitja profesionale e Haxhijahës ka ndikuar në emërimin e tij në bord.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga Qeveria dhe Komisioni vlerësues pse janë dërguar 15 emra për vetëm 4 anëtarë të bordit që është dashur të zgjidhen, më shumë se pragu minimal i kërkuar me ligj.

Kryetari i Komisionit vlerësues, Blerim Hasani, ka thënë për KALLXO.com se janë udhëzuar nga njësia përkatëse që shërben si sekretari e komisioneve rekomanduese në Zyrën e Kryeministrit, t’i rekomandojnë së paku 12 kandidatë.

Nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës kanë deklaruar për KALLXO.com se është në diskrecion të plotë të Qeverisë që secili kandidat i cili është në listën rekomanduese mund të emërohet nga Qeveria në bord të Ndërmarrjes Publike pavarësisht rankimit apo poentimit të kandidatëve në listën rekomanduese.

Vetë Vetëvendosje ishte kritike në vazhdimësi për politizimin e bordeve nëpër Ndërmarrje Publike. Madje, kryetari i kësaj partie premtonte depolitizim.

“Ndërmarrjet publike duhet të udhëhiqen nga profesionistë të aftë, me integritet edhe personal e të cilët e kanë për qëllim zhvillimin e ndërmarrjes. Jo zhvillimin e interesave të ngushta, që mandej i bën ato ndërmarrje barrë për shtetin” – thoshte kryeministri Albin Kurti, në një video-mesazh më 12 shtator 2021  drejtuar qytetarëve kur u bënte thirrje profesionistëve që të aplikojnë në konkurset në ndërmarrjet publike.

Qeveria emëroi anëtarin e Vetëvendosjes në bordin e KRU Gjakovës