Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Reagon LVV: Deputetë të PDK-së sulmuan me grushta kryeministrin dhe ministrat

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas përleshjes fizike mes deputetëve të opozitës dhe disa ministrave të Qeverisë ë Kosovës në Kuvendin e Kosovës.

Partia e Albin Kurtit ka fajësuar deputetet e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për ngjarjen e cila ndodhi të enjten para mesditës në Parlament.

“Sot në Kuvendin e Kosovës dora e zgjatur e atyre që nuk e duan shtetësinë, demokracinë dhe ligjin e Kosovës, u përpoq të bëhet grusht. Teksa kryeministri Albin Kurti po mbante fjalim duke treguar për betejën e Republikës së Kosovës për shtrirje të rendit e të ligjit në veri të vendit, disa deputetë të PDK sulmuan me grushta, si një bandë rrugaçësh, kryeministrin dhe ministrat e Kosovës” – thuhet në reagimin e LVV-së.

Tutje, LVV tha se sulimi ishte i koordinuar dhe ndodhi me qëllim në këtë kohë.

“Ky sulm po bëhet ndaj qeverisë së parë të Kosovës e cila nuk e ka asnjë ministër apo zv.ministër të kontrolluar nga Beogradi. Ky sulm po bëhet pikërisht në një moment të rëndësishëm të ballafaqimit diplomatik e jo vetëm të Kosovës me Serbinë” – thotë Vetëvendosje.

“Ky sulm erdhi si veprim i koordinuar mes degëve të ndryshme të së njëjtës bandë: disa prej tyre i thonë vetes deputetë, disa i thonë vetes gazetarë, e disa protestues. Por Kosova do të ecë përpara në konsolidimin e shtetësisë së saj, pavarësisht sulmeve të tilla” – thuhet në fund të reagimit.

Sot në Kuvendin e Kosovës, në përleshje fizike u përfshinë deputetet e PDK-së, Mërgim Lushtaku e Hajdar Beqa me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi e ministrin Hekuran Murati.

Përleshje fizike në seancën e Kuvendit – VIDEO