Foto: Blerim Llunji/Facebook

Burri i anëtares së Lëvizjes Vetëvendosje në mesin e inspektorëve të pranuar

Në mesin e 85 inspektorëve të pranuar nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, është edhe burri i anëtares së Lëvizjes Vetëvendosje dhe ish-kandidates për deputete, Venera Llunji.

Blerim Llunji është kandidati i dytë që është pranuar për regjionin e Prishtinës si inspektor sanitar e që do të merret me zbatimin e masave për COVID-19, bashkë me 24 të tjerë në këtë rajon.

Por, anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Venera Llunji ka mohuar të ketë ndikuar që burri i saj të jetë në listën e inspektorëve të pranuar.

Ajo theksoi se burri i saj i ka plotësuar të gjitha kriteret e përcaktuara në konkurs.

“Po, Blerimi është burri im dhe unë s’kam intervenuar fare. Ai e ka të kryer fakultetin e Mjekësisë, i ka dy mastera, të menaxhmentit shëndetësor, një në Tiranë dhe një në Prishtinë, andaj ai ka konkuruar si të gjithë të tjerët”, tha Llunji për KALLXO.com.

“Nuk kam asnjë post politik që të ndikojë që ai të bëhet inspektor, as s’jam në qeverisje, as s’jam këshilltare politike, por s’ka lidhje që jam anëtare”, shtoi ajo.

Ajo shtoi se pse duhet të bëhet problem pse është pranuar burri i saj.

“Pse duhet me qenë kështu, pse u pranua burri im që ka qenë pa punë tash e disa vite. Askush s’më ka thirrë me më pyet pse e ke ti burrrin me dy mastera deri tash, çka me bë”, tha Llunji më tej.

Venera Llunji ka qenë kandidate për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje në vitin 2019.

Sot, Ministria e Shëndetësisë ka bërë publike listën e 85 inspektorëve të cilët do të angazhohen për respektimin e masave COVID-19 nëpër komunat e Kosovës.

Për këta 85 inspektorë që do të angazhohen në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, Ministria e Shëndetësisë, kishte hapur konkurs në muajin gusht, më saktësisht më 20 gusht.

Angazhimi i këtyre inspektorëve do të jetë me kohë të caktuar, 3 muaj me mundësi vazhdimi edhe për 3 muaj dhe do të kenë pagën prej 520 euro.

Punësimin e këtyre inspektorëve e ka paralajmëruar dje kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për media.

“Dje në mbledhjen e Qeverisë kemi marrë vendim për sat e reja është e pakënaqshme zbatimi i masave, do të shtojmë inspektimet, do të bëjmë 6-fishimin e inspektorëve të AUV. 85 të tjerë plus nga 17 i kemi aktiv 11, 6  janë të sëmurë”, ka thënë Kurti.

Biografia e Blerim Llunjit

Kandidati i pranuar si inspektor sanitar në regjionin e Prishtinës, Blerim Llunji, i ka dhënë KALLXO.com qasje në CV-në e tij.

Sipas të dhënave, ai ka përfunduar studimet e doktoraturës për stomatologji në Universitetin e Prishtinës. Ai po ashtu ka përfunduar studimet master për menaxhment shëndetësor në Kolegjin Iliria.

Nga marsi i vitit 2002 deri në gusht të vitit 2006, Llunji ka punuar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe ka pasur përgjegjësi mbikqyrjen, kontrollimin dhe raportimin e mbarëvajtjes së punëve te drejtori i administratës në MSH.

Sipas asaj që Llunji ka shkruar në CV, ai është larguar nga puna për shkak të një lëndimi fizik.

Para se të punonte në MSh, Llunji ka punuar si zyrtar në OSBE, nga viti 1999 deri në vitin 2002.

Ndërsa nga qershori i vitit 1994 deri në marsin e vitit 1999, Blerim Llunj ka punuar si administrues i barnave dhe materialeve mjekësore në organizatën farmaceutike “Venena”.

*Shënim – Ky artikull është plotësuar me të dhënat nga CV-ja e kandidatit.

 

https://kallxo.com/lajm/publikohet-lista-e-85-inspektoreve-sanitare-foto/