Vetëvendosje i quan ‘të papërgjegjshme’ deklarimet e Veliut për hyrjen e ushtrisë serbe në Kosovë

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi në seancën e Kuvendit i ka quajtur të papërgjegjshme deklarimet e ministrit të Punëve të Brendshme Agim Veliu.

Në Kuvend këtë pasdite po mbahet interpelanca e Veliut për hyrjen e xhandarmërisë serbe në Karaçevë të Kamenicës.

“Sot dëgjuam jo veç deklarata të papërgjegjshme por pothuajse secila deklaratë kishte nga një skandal. Si është e mundur të deklaroni ju nga pozicioni i ministrit të brendshëm se atje qytetarët nuk janë të rrezikuar po janë të shqetësuar, apo akoma më skandaloze kur thoni se situata është e qetë, nuk ka reagime të banorëve”, tha Selimi.

Ai ka shtuar se këto deklarata e lënë pa tekst.

“Nuk isha kaq i përgatitur se do të dëgjoja gjëra të tilla. Ne nuk e kemi thirru këtu KFOR-in në raportim, por atë që mban postin e ministrit të Brendshëm. Me aq sa dëgjuam a do të thotë që Karaçeva është Kosovë apo jo, sepse me aq sa pamë Policia e Kosovës atje nuk shkon”, shtoi Selimi.

Shefi i deputetëve të LVV-së, theksoi se ministri Veliu është i papërgjegjshëm.

“Siç thotë populli, as nuk din as nuk vet”, shtoi Selimi, duke shtuar se ministri dhe qeveria duhet të shkarkohet dhe vendi të shkojë në zgjedhje.

Në muajin gusht, KFOR-i kishte sqaruar futjen e xhandarmërisë serbe brenda territorit të Kosovës, duke e arsyetuar me faktin se janë patrullime të sinkronizuara.