Veseli pas takimit me Thaçin: Hipokrizi të flitet për zgjedhje në këtë kohë, por PDK mbetet në opozitë

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli pas takimit me presidentin Hashim Thaçi ka thënë se partia e tij është që të respektohet Kushtetuta e vendit, pas rrëzimit të qeverisë nga mocioni i mosbesimit.

Sa i përket kërkesës për zgjedhje të reja, Veseli tha se është hipokrizi të flitet për këtë në kohën e pandemisë së COVID – 19.

“Sa i përket çështjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, ta keni parasysh faktin e pandemisë, ne nuk po e dimë deri kur do të përfundojë kjo çështje. Vullneti i sovranit është me legjitimi, por në rrethana të pandemisë është ndoshta hipokrizi të flitet për zgjdhje kur e dimë se nuk mund të jenë për 45 ditë zgjedhjet pasi nuk mund të rrezikojmë qytearin”, theksoi ai.

Megjithkëtë, Veseli shtoi se PDK-ja mbetet në opozitë dhe se vullneti i qytetarit është më legjitimi.

“Edhe Partia Demokratike e Kosovës është që të respektohet Kushtetuta dhe të mbrohet vullneti i qytetarëve, përgjegjësitë të cilat i kemi bashkërisht në këto momente të jashtëzakonshme të cilat jemi duke i kaluar qoftë me pandemi, për aq sa edhe në mbrotje të sovranitetit të shtetit dhe interesit qytetar”, tha ai.

Sido që të jetë, ai tha se PDK-ja e ka pozicion shumë të qartë politik.

“Ne do të jemi opozitë dhe ta respektojmë Kushtetutën e Kosovës”, tha ai.

Paraprakisht, presidenti në takime të ndara ka pritur edhe kryeministrin në detyrë Albin Kurtin dhe kreun e LDK-së Isa Mustafa.

Kurti pas takimit ka thënë se i kanë treguar presidentit qëndrimin e tyre se Kosova duhet të shkojë në zgjedhje të reja.

Në anën tjetër, Mustafa ka thënë se nuk janë për zgjedhje nacionale, por për formimin e një qeverie të re.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi  të mërkurën ka nisur takimet konsultative me liderë e partive politike parlamentare, si përpjekje për formimin e qeverisë së re, pas rrëzimit të ekzekutivit të Albin Kurtit nga Kuvendi i Kosovës me 25 mars.

Pas rrëzimit të Qeverisë Kurti nga mocioni i mosbesimit i inicuar nga partneri i tij qeverisës  – LDK-ja, presidenti Thaçi është deklaruar se e ka në fokus formimin e një qeverie të unitetit, stabilitetit e gjithëpërfshirëse, duke mënjanuar mundësinë për shkuarjen ne zgjedhje të jashtëzakonshme, për shkak të gjendjes së krijuar nga COVID-19.