Foto: KALLXO.com

Inxhinieri i hidroteknikës për vërshimet në Skenderaj: Shtrati i lumit s'arriti të përballojë prurjen e madhe të ujit

Komuna e Skenderajt ishte ndër komunat më të prekura nga vërshimet që përfshinë vendin në janar të këtij viti. Për shkak të vërshimeve Komuna e Skenderajt shpalli gjendjen të jashtëzakonshme ndërsa dëmet konsiderohen të jenë milionëshe.

Lavdim Osmanaj, inxhinier i hidroteknikës në Fakultetin e Ndërtimtarisë në Universitetin e Prishtinës, ka realizuar një analizë mbi vërshimet në Skenderaj.

Osmanaj thotë se shtrati i lumit në Skenderaj nuk ka arritur të përballojë prurjen e ujit për shkak të reshjeve të mëdha të shiut, duke sjellë vërshime dhe përmbytje të qytetit dhe fshatrave.

“Shtrati i lumit që ka fillu me u ndërtu në vitin 2010 nuk e ka përballu prurjen maksimale 100 vjeçare. Sipas rregullave në fuqi, qoftë me Ligjin e ujërave, qoftë me ligjet e tjera, duhet që prurja e lumit të jetë e kalkuluar për periudhën projektuese njëherë në 100 vjet e cila për rastin e Skenderajt del që duhet të jetë 110 metra kub për sekondë. Ditët e vërshimeve prurja nuk qenë 110 metra kub për sekondë  por 99 metra kub për sekondë. Pra, afër 110 metrave kub.  Shtrati i lumit i rregulluar në vitin 2010 nuk e përballon më shumë se 58 metra kub për sekondë, pra është hapësirë e vogël”- tha ai në emisionin “Kallxo Përnime”.

Inxhinieri i hidroteknikës tha se në kohën e projektimit të shtrati të lumit i ka rekomanduar Komunës së Skenderajt që të llogarisë prurjen e ujit.

Sipas Osmanajt janë disa mundësi për parandalimin e përmbytjeve nga shiu, duke përmendur zgjerimin e shtratit të lumit dhe ndërtimin e një pende akumuluese.

Ai tha se analizën e tij e ka dërguar në Komunën e Skenderajt, e cila e ka përcjellë edhe në Ministrinë e Infrastrukturës.

Lavdim Osmanaj, inxhinier i hidroteknikës në Fakultetin e Ndërtimtarisë në UP theksoi se vërshimet në janar të këtij viti në Skenderaj do të mund të ishin fatale nëse do të ndodhnin në orët e vona të natës.

“Sikur vërshimet të kishin qenë gjatë natës, ato do të mund të ishin fatale. Kjo ka qenë fat në fatkeqësi. Dëmet e kalojnë 10 milionëshin. E ndërtimi i një pende nuk e kalon as 40 milionëshin andaj nëse do e ndërtonim do i kursenim së paku 10 milionë euro dëme sepse nuk do të kishte më dëme”- tha ai.

Vërshimet e muajit janar 2023 në Skenderaj kanë lënë shumë shtëpi e vetura të dëmtuara. Për këtë Komuna formoi edhe një fond për t’u dalë në ndihmë qytetarëve.