Vërmicë, automjetit që vinte nga Shqipëria i gjenden mbi 570 fishekë, tentonte t’i kontrabandonte

Oficerët doganor në pikën kufitare në Vërmicë kanë gjetur municion me 577 copë fishekë në një automjet që po vinte nga Shqipëria- si tentim për kontrabandë në Kosovë.

Në njoftimin e Doganës së Kosovës bëhët e ditur se shoferi i automjetit po përpiqej të shmangte kontrollet dhe se oficerëve doganor shoferi u kishte thënë se nuk ka asgjë në automjetin e tij.

Municioni ishte gjetur i fshehur në pjesën e pasme- pranë këmbëve të pasagjerit.

“Sot, rreth orës 11:00 në pikën kufitare të Vërmicës, oficerët doganor kanë vënë re një automjet (që vinte nga Republika e Shqipërisë) dhe që po përpiqej të shmangte kontrollet. Qëllimi i shoferit ishte evident pra shmangja e kontrolleve të dokumentacionit dhe fizike të kryera nga autoritetet doganore. Pas ndalimit të automjetit, u dha urdhër për të kryer një kontroll në vijën e dytë të kontrollit doganor. Përpara oficerëve drejtuesi i automjetit ka deklaruar se nuk kishte asgjë në mjetin e tij”- thuhet në njoftim.

“Megjithatë, pas një kontrolli të kujdesshëm të automjetit, së bashku me ndihmën e zyrtarëve të policisë që ishin të pranishëm gjatë këtij kontrolli, u zbulua mallrat e ndaluara që ishin fshehur me kujdes në pjesën e pasme të mjetit pranë këmbëve të pasagjerit. Konkretisht, u gjetën 577 copë fishekë për armën tip AK-47”- thuhet tutje në njoftim.

Në njoftim potencohet se pas zbulimit të kësaj sasie të municioni, automjeti u dërgua për një skanim të thelluar në doganën e Shqipërisë.

“Për të siguruar një kontroll më të hollësishëm, u përdor edhe fibroskopi, por nuk u gjet asgjë tjetër të dyshimtë. Municioni i zbuluar është konfiskuar dhe së bashku me rastin i është transferuar Policisë së Kosovës për hetime të mëtejshme”- thuhet në njoftim.