Veprat për të cilat kërkohet Zhelko Bojiq, i dyshuar në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit

I kërkuari sot nga Policia e Kosovës, Zhelko Bojiq edhe më herët ishte i njohur për Policinë dhe Prokurorinë.

Në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë gjenden dy lëndë ku Bojiq është i dyshuar për kryerje të veprave të ndryshme penale.

Në Departamentin e Përgjithshëm të kësaj Prokurorie madje gjendet një rast që prej vitit 2012, kur EULEX-i kishe ngritur propozim akuzues, nën dyshimin se Bojiq kishte kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”.

“Në Departamentin e Përgjithshëm e ka një lëndë, ku dyshohet për një vepër penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”. EULEX i ka ngritur Propozimin Akuzues me datë 20 qershor të vitit 2012“, ka thënë për KALLXO.com zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni.

Gjithashtu Zhelko Bojiq, zyrtari policor i cili nuk është gjetur gjatë aksionit të sotëm në Veri të Mitrovicës, e që është në kërkim të policisë dyshohet edhe për dy vepra penale (në bashkëkryerje), “Keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “Pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare”.

“Kjo lëndë i është ndarë prokurorit dhe është në punë”, ka thënë Preteni për KALLXO.com.

Mëngjesin e sotëm, Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka ndërmarr një aksion të gjerë në lidhje me rastin e vrasjes së ish politikanit serb Oliver Ivanoviq, ku njëri nga personat e kërkuar ishte edhe Zhelko Bojiq, i cili nuk u takua sot nga policia.

Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale kanë mbajtur konferencë për media ku kanë prezantuar aksionin policor i cili u zhvilluar mëngjesin e sotëm në Veri të Mitrovicës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka thënë në këtë konferencë se ky operacion policor është zhvilluar sot në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore, Departamenti Special, në të cilin kanë qenë të angazhuar rreth 100 zyrtarë policor, dhe është zhvilluar në tri lokacione, ku edhe janë kryer bastisjet.

Të dyshuarit të cilët po kërkoheshin nga policia dyshoheshin për organizim të grupeve kriminale, dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Në bazë të urdhër kontrollit, është arritur të arrestohet i dyshuari, zyrtar policor R. B., i  përfshirë në urdhër kontroll, ndërsa i dyshuar i dytë, poashtu zyrtar policor, i cili ka qenë në kërkim nuk është takuar nga policia”, ka thënë Kelani.

Ai ka treguar edhe për arrestim e një personi të dyshuar, i cili nuk ishte i përfshirë në urdhër kërkim.

“Gjatë këtij operacioni është arrestuar një person i dyshuar i cili nuk ka qenë i përfshirë në urdhër kërkim po  arrestimi i tij është bërë dyshimin se në atë lokacion ku është takuar i dyshuari është gjetur një armë’, ka thënë Kelani.

Ai ka treguar se Policia e Kosovës gjatë këtij operacioni, i cili ka qenë në koordinim me Prokurorinë e Shtetit ka arritur të konfiskoj gjashtë armë, dy prej të cilave kanë qenë armë zyrtare, si dhe paisje të ndryshme elektronike.

Ndërsa, Prokurori i Prokurorisë Speciale, Sylë Hoxha ka folur për grupin kriminal të Milan Radoiçiq për të cilin ka thënë se ka ndikim në Policinë e Kosovës dhe strukturat e tjera shtetërore në Veri të Mitrovicës.

“Prokuroria Speciale zhvillon hetime edhe për vrasjen e Oliver Ivanoviq dhe se në pjesën veriore të Mitrovicës ekzistojnë grupe kriminale, të organizuara mirë të udhëhequra nga Milan Radoiçiq, ndaj të cilit jeni në dijeni se është lëshuar edhe urdhër arrest ndërkombëtar dhe jemi në pritje të zbatimit të asaj urdhërese. Grupi kriminal i Milan Radoiçiq është mjaft i organizuar dhe ka ndikim edhe në Policinë e Kosovës dhe në strukturat tjera shtetërore të asaj pjese”, ka thënë Hoxha.

Ai tutje ka treguar se Prokuroria Speciale para dy ditëve ka marrë aktvendim për zgjerimin e hetimeve ndaj dy zyrtarëve policorë në Veri të Mitrovicës.

“Ne kemi zgjeruar hetimet për veprat penale pjesëmarrje ose organizmin e grupit kriminal dhe keqpërdorim i pozitës zyrtare. Gjatë këtij aksioni një person zyrtar policor është hasur dhe është arrestuar. Këtë person e kam intervistuar sot paradite për çka dyshohet dhe kam parashtruar në Gjykatën Themelore kërkesën për caktimin e paraburgimit”, ka thënë Hoxha.

Ai tutje ka shtuar se ndaj dy personave për të cilët është zgjeruar hetimi, dyshohet se kanë punuar nën urdhërat e Milan Radojqiq.

“Këta persona për të cilët janë zgjeruar hetimet, dyshohet se nuk i kanë kryer veprimet e duhura dhe i kanë fshehur disa veprime dhe prova të cilat është dashtë të sigurohen në raste të ndryshme të vrasjeve, jo vetëm tek vrasja e Oliver Ivanoviq por edhe tek rastet e tjera”, ka thënë Hoxha.

Zyrtari policor i cili u arrestua sot, sipas Hoxhës është hetues dhe dyshohet se ka punuar në mënyrë selektive dhe në direktiva të dikujt tjetër.

Hoxha tutje ka shtuar se në operacionin policor është arrestuar edhe një person tjetri i cili nuk ka qenë në urdhëresën e gjykatës dhe tek i cili është gjetur një revole.

“I njëjti dyshohet për armëmbajtje pa leje, i njëjti është liruar pas intervistimit”, ka thënë Hoxha.

.