Foto: Pixabay

Vendimi që qytetarët të kompensohet për rrymën në veri, ZRRE thotë se janë duke shqyrtuar të gjitha opsionet

Gjykata Kushtetuese më 11.03.2024 ka vërtetuar vendimet të cilat obligojnë Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) që t’i kompensojë qytetarët të cilët janë faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në katër komunat në veri të Kosovës.

ZRRE ka thënë se janë duke analizuar aktgjykimin dhe do të shqyrtojnë të gjitha opsionet e mundshme ligjore në lidhje me këtë rast.

Ky institucion e ka konsideruar kompleks vendimin e Kushtetueses.

“Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka pranuar aktgjykimin nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në rastin KI103/23. ZRRE është duke e analizuar këtë aktgjykim dhe do të shqyrtoj të gjitha opsionet e mundshme ligjore që i ka në dispozicion në lidhje me këtë rast”- thuhet në përgjigjen e ZRRE-së dhënë për KALLXO.com

Zyra e Rregullatorit të Energjisë deklaroi se për të gjitha veprimet që do të ndërmerren qytetarët do të njoftohen me kohë.

“Pavarësisht që ky aktgjykim është mjaft kompleks, ZRRE-ja do t`i kryej detyrat e saj konform mandatit ligjor dhe për të gjitha veprimet që do të ndërmerren, opinioni publik do të njoftohet me kohë”- kanë thënë nga ZRRE për KALLXO.com

Gjykata Kushtetuese më 11.03.2024 ka publikuar aktgjykimin në rastin e parashtruar nga Zyra e Rregullatorit për Energji, në të cilin u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme lidhur me kompensimin e qytetarëve për rrymën e paguar për komunat veriore.

Ky rast ndërlidhet me padinë e ushtruar nga Avokati të Popullit përmes së cilës kërkohej që të anulohej një vendim i datës 06.02.2012 i Zyrës së Rregullatorit për Energji “për reduktimin e humbjeve të shpërndarjes së energjisë elektrike”.

Përmes këtij vendimi rryma e shpenzuar në komunat në veri të vendit, përkatësisht Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq ishte paguar nga qytetarët tjerë të Kosovës.

Kompensimi ishte urdhëruar që të bëhet për periudhën 06.02.2012 deri më 20.10.2017 në vlerën 40,855.480.00 euro.

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut i Kosovës (KOSTT) njoftoi se nga 01.01.2024, në katër komunat në veri të Kosovës ka nisur të regjistrohet energjia elektrike e shpenzuar.

Më 09.12.2023 është bërë e ditur se Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) dhe Elektroserver kanë nënshkruar një kontratë komerciale.

Elektrosever është pronë e kompanisë energjetike të Serbisë EPS (Elektroprivreda Srbije).

Ajo e mori licencën për operim nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës.

Më 21.06.2023, Kosova dhe Serbia e nënshkruan udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes për Energji, që ishte arritur më 2013 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Me këtë marrëveshje synohej të rregullohet çështja e furnizimit dhe faturimit të energjisë elektrike për katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

ZRRE i heq obligimin KOSTT-it për mbulimin e humbjeve të energjisë elektrike në veri