Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vendimi i Kushtetueses, reagon PDK

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Kushtetuesja vendosi pas pretendimeve të ngritura nga LDK-ja dhe PDK-ja, që ta rrëzojë ligjin duke thënë se ai bie ndesh me disa nene të Kushtetutës.

Krasniqi ka thënë se nuk do të lejojë që të shkelet Kushtetuta e vendit “nga pretendimet uzurpuese të pushtetit”.

“Edhe sot, Gjykata Kushtetuese na dha të drejtë, duke e shpallur si anti-kushtetuese përpjekjen e Kryeministrit Albin Kurti për ta vënë nën kontroll dhe për ta cënuar integritetin dhe profesionalizmin e Këshillit Prokurorial të Kosovës. Kushtetuta, si bazament i parimeve të drejtësisë, nuk mund dhe nuk do të lejojmë kurrë që të shkelet nga pretendimet uzurpuese të pushtetit”- ka shkruar Krasniqi.

Kryetari i PDK-së tha se do të kundërshtojnë secilën nismë qeveritare që sipas Krasniqit “synon t’ia nënshtrojë të drejtën diktatit të një njeriu dhe qëllimeve autoritare të këtij pushteti”.

Ligji për KPK-në u miratua në lexim të parë në prill të vitit të kaluar, ndërkaq në lexim të dytë në qershor të vitit të kaluar.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e kishte paraqitur para deputetëve të Kuvendit Projektligjin për KPK-në seancën e 7 prillit.

Ajo ka thënë se me miratimin e plotësim-ndryshimeve të reja, ky Këshill do të ketë përbërje të re.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës do të ketë një përbërje të re, me prokurorë dhe joprokurorë. Por, proporcioni, apo dallimi në numra në mes të anëtarëve prokurorë dhe atyre joprokurorë do të jetë një. Fillimisht përbërja e re do të ketë dy anëtarë nga prokuroritë themelore, qoftë nga Prokuroria e Apelit apo Speciale dhe Kryeprokurorin e Shtetit sipas detyrës zyrtare. Ashtu siç e thonë Kushtetuta, Kuvendi pas këtij plotësim ndryshimi ka të drejtë të zgjedhë dy anëtarë joprokurorë, ndërsa risia kryesore është caktimi i një antari të ri nga Avokati i Populllit në konsultim me organizatat civile”-  kishte shpjeguar Haxhiu.

Ajo kishte kritikuar përbërjen aktuale të Këshillit Prokurorial, për të cilin ajo tha se ka qenë i ndikuar nga grupet e interesit dhe politika.

Haxhiu pati thënë se për Projektligjin në atë kohë ka marrë dy opinione pozitive nga Komisioni i Venecias.

Mirëpo dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Lidhja Demokratike e Kosovës në korrik të 2022-tës kanë dërguar për vlerësim të kushtetutshmërisë Ligjin për Këshillin Prokurorial.