Këshilli Prokurorial i Kosovës – FOTO: Laurant Berisha – KALLXO – 25.01.2024

Miratohet në parim Projektligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës

Më 61 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se diskutimet për këtë projektligj kanë përfunduar në një seancë të mëhershme.

Qeveria e Kosovës më 12.07.2023 pati marrë vendim për plotësim-ndryshim të ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).

Sipas memorandumit shpjegues, ky Projektligj synon eliminimin e mangësive ligjore të identifikuara, në mënyrë që KPK t’i ushtroj kompetencat e saj kushtetuese dhe ligjore të përmendura më lartë.

Në mars të vitit 2023, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë, të ushtruar nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kushtetuesja ka konstatuar se disa nene të këtij Ligji nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Ligji për KPK-në u miratua në lexim të parë në prill të vitit të kaluar, ndërkaq në lexim të dytë në qershor të vitit të kaluar.

Kushtetuesja rrëzon Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës