Hoxha: Kushtetuesja i la dy mundësi për zgjedhjen e anëtarëve të KPK-së

Rinor Hoxha, anëtar nga grupi punues për Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese rreth këtij Ligji.

Në emisionin “Kallxo Përnime”, Hoxha ka thënë se sipas njoftimit të kësaj Gjykate, mbeten vetëm dy mundësi për t’u zgjedhur anëtarët e Këshillit Prokurorial.

“Ose prej Kuvendit, një pjesë e tyre ose tjerët që zgjidhen drejtpërdrejt prej prokurorëve. Nuk po lë hapësirë sepse Gjykata e ka kontestuar, ka thënë që Avokati i Popullit nuk e ka këtë kompetencë të caktojë një anëtar të KPK-së” – ka thënë Hoxha.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese ka publikuar vendimin e saj më 24 mars, sipas të cilit Ligji bie ndesh me nenet e Kushtetutës për Formën e Qeverisjes dhe Ndarjen e Pushtetit, Kompetencat e Kuvendit, Rolin e Avokatit të Popullit, Barazinë para Ligjit, e Këshillit Prokurorial dhe e nenit për të Drejtën për Mjete Juridike.

Ligji për KPK-në u miratua në lexim të parë në prill të vitit të kaluar, ndërkaq në lexim të dytë në qershor të vitit të kaluar.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e kishte paraqitur para deputetëve të Kuvendit Projektligjin për KPK-në seancën e 7 prillit.