Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vendimi i Kushtetueses për Ligjin për KPK-në, Gashi: Avokati i Popullit nuk ndërhyn në vendimmarrje

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë, të ushtruar nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, vitin e shkuar.

Në emisionin ‘Kallxo Përnime’ po diskutohet për këtë vendim dhe për reformën në drejtësi.

Suzana Gashi, nga zyra e Avokatit të Popullit, ka folur për përfshirjen e institucionit në hartimin e ligjit.

Ajo ka thënë se ftesën e kishin marrë nga KPK-ja për të qenë pjesë hartuese e këtij ligji.

“Ne mundemi me qenë monitorues, por jo me marrë drejtpërdrejt pjesë në hartim të ligjit. Ne s’kemi marrë ftesë as nga grupi punues i këtij ligji për t’u bërë pjesë e tij. Është bërë traditë edhe prej qeverive të kaluara që Avokati i Popullit mos me u konsultu” – ka thënë Gashi.

Ajo ka shtuar se Avokati i Popullit ka pyetur Gjykatën Kushtetuese rreth pjesëmarrjes së këtij institucioni në hartimin e këtij ligji.

“Avokati i Popullit është një prej palëve autorizuese me Kushtetutë për me i dërgu ligjet, rregulloret e Qeverisë etj., në Gjykatën Kushtetuese. Ky institucion s’mund të përfshihet paraprakisht në këto çështje. Edhe vetë Komisioni i Venecias e thotë që Avokati i Popullit mund të shihet si një institucion i pavarur nëse përfshirja e këtij këtu nuk e pengon funksionimin karshi Këshillit” – ka thënë më tej Gashi.

Gjykata Kushtetuese ka publikuar vendimin e saj më 24 mars, sipas të cilit ligji bie ndesh me nenet e Kushtetutës për Formën e Qeverisjes dhe Ndarjen e Pushtetit, Kompetencat e Kuvendit, Rolin e Avokatit të Popullit, Barazinë para Ligjit, e Këshillit Prokurorial dhe e nenit për të Drejtën për Mjete Juridike.

Ligji për KPK-në u miratua në lexim të parë në prill të vitit të kaluar, ndërkaq në lexim të dytë në qershor të vitit të kaluar.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e kishte paraqitur para deputetëve të Kuvendit Projektligjin për KPK-në në seancën e 7 prillit.