foto Kallxo.com

Vendimi i fundit i Gjykatës lidhur me Ilir Abdullahun, i dyshuar në rastin e vrasjes së Triumf Rizës

Gjykata e Prishtinës i ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë Ilir Abdullahut, të dyshuarit në rastin e vrasjes së policit Triumf Riza në vitin 2007.

Pas 15 vitesh arrati, Ilir Abdullahu, i njohur me nofkën “Liza”, u arrestua nga Policia e Kosovës më 16 korrik të këtij viti në Batllavë të Podujevës.

Gjykata e Prishtinës muajin e kaluar i kishte caktuar masën e paraburgimit për një muaj Ilir Abdullahut.

Të dyshuarit dje i është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë.

Kjo kërkesë e Prokurorisë Speciale ishte aprovuar nga gjyqtari i procedurës paraprake Kujtim Krasniqi.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar avokati i Abdullahut, Fanol Krasniqi.

Kujtojmë që aktakuza e Prokurorisë Speciale që është ngritur ndaj Enver Sekiraqës pretendon se Arben Berisha për të kryer aktin në fjalë u nxit nga vetë Sekiraqa, e ky i fundit Berishën e kishte njëri të besueshëm.

Po ashtu aktakuza pretendon se Arben Berisha privimin nga jeta të Rizës e kishte bërë në bashkëkryerje me Rrahim Abdullahun, Ilir Abdullahun dhe Fitim Avdiun.

Në akuzën e parë me të cilën ngarkohet i pandehuri Enver Sekiraqa, në të cilën shpjegohet në detaje se si kishte ardhur deri te vrasja e Triumf Rizës, tregohet edhe roli që kishte Ilir Abdullahu që u arrestua 15 vite më pas.

Dosja e siguruar nga KALLXO.com thotë se katër të akuzuarit vrasjen e Rizës e kanë bërë në mënyrë shumë mizore dhe mashtruese për shkak të një hakmarrjeje të paskrupullt apo ndonjë motiv tjetër.

“Respektivisht hakmarrje personale kundër të përmendurit Triumf Riza” – thuhej në akuzë.

Aktakuza shpjegon se si para vrasjes, grupi në fjalë, pra katër të akuzuarit, kanë bashkëpunuar mes vete dhe kanë përcjell lëvizjet e Rizës me qëllim që të ndiqnin rrugët e tij.

Ishte po ajo ditë, kur të arrestuarit Ilir Abdullahut i kishte ardhur mesazhi “Komshiu e ka makinën në parkingun e Grandit”.

Ky mesazh ishte dërguar në telefonin e Ilirit nga Fitim Avdiu, gjatë kohës kur ai së bashku me Enver Sekiraqën, Arben Berishën dhe Rrahim Abdullahun ishin në kafenenë “Sekiraqa” në bulevardin Bill Clinton.

Ky mesazh, sipas akuzës që është siguruar nga KALLXO.com i referohej viktimës Triumf Riza, banesa e të cilit thuhet se ishte në anën e kundërt të rrugës ku gjendej kafeneja “Sekiraqa”, e i cili në atë kohë gjendej në hotelin “Grand” të Prishtinës.

Me të pranuar këtë SMS, akuza thotë se Arben Berisha, Rrahim Abdullahu dhe Ilir Abdullahu, duke e vozitur makinën e këtij të fundit, që ishte e tipit “Passat”, kanë shkuar në kafenenë “Queens”.

Në këtë kafene, Arben Berisha u tha se është futur i armatosur me ‘Glock’ të kalibrit 9×19, përderisa dy të tjerët, pra Rrahim e Ilir Abdullahu vazhdojnë në një kafene tjetër me qëllim që ta prisnin Triumf Rizën.

Riza, tregohet se ka qenë klient i rregullt në kafenenë ‘AM/PM’ e pasi ai del nga aty dhe fillon të ecë në drejtim të makinës së tij, e cila ishte në parkingun e vendit të quajtur “Flamurtari në Dardani”, ai qëllohet me armë.

Akuza tregon se Arben Berisha kishte vrapuar pas tij dhe kishte shtënë me 11 plumba pa kurrfarë paralajmërimi apo provokimi.

Tre prej plumbave të shkrepur kishin goditur Triumf Rizën duke e plagosur atë për vdekje.