Vëllai i Liridona Murselit jep detaje për kontaktin që kishte pasur me Naim Murselin pas vrasjes dhe ditën e varrimit

Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Murselit e cila u vra më 29 nëntor në kryeqytet në një deklarim për RTK tregoi se si i ishte interpetuar rasti nga bashkëshorti i të ndjerës, tashmë i dyshuari Naim Murseli.

“Tha na kanë ndaluar, kidnapuar na kanë thënë të nxjerrim gjithçka që kemi dhe se i ka thënë motrës (Liridonës) jepju gjithçka që ke. Unë i kam hapur dyert dhe u kam thënë të ikin në gjuhën suedeze. Kur i kapa fëmijët dhe dola, kur shikova prapa nuk kishte qenë Liridona”- tha Ademaj t`i ketë thënë Murseli.

“Dyert kur janë hapur a janë hapur për të gjithë apo vetëm për fëmijë. Çfarë burri është ai që i merr fëmijët e nuk e kthen kokën të shoh ku është nëna. Dyshimet tona aty filluan”- u shpreh vëllai i të ndjerës.

Ai tutje shtoi se ka pasur problem edhe të kontaktoj me Naim Murselin pas gjithë ngjarjes.

“I bënte telefoni por e ndalte, me një numër të shoferit të tij kontaktuam dhe më tha të shkoj në hotelin S. dhe kur e pyeta pse nuk e hapte telefonin tha se ia kanë vjedhur hajnat”- u shpreh ai.

Tutje, ai shtoi se Naim Murseli nuk ka dashur të shoh trupin e Liridonës.

“Kur shkuam të shohim trupin na tha se mund ta shohim Liridonën dhe nëse jeni me probleme shëndetësore mos e shikoni, derisa ai nuk donte të hynte ta shihte, aty filluan edhe dyshime tjera”- shtoi Ademaj.

“Në ditën e varrimit në ora 12:00 trupi i Liridonës mbërriti në Cërmjan dhe e telefonava se përse ende nuk kishte ardhur”- shtoi tutje ai.

Derisa, theksoi se në Mjekësi Ligjore Naim Mureslit i është thënë se gjërat me vlerë të Liridonës janë brenda.

“Kur shkova atë natë në mjekësi ligjore Naimit i thanë se dukatin dhe gjërat me vlerë që i ka pasur Liridona i ke brenda, nëse hajnat e kanë vjedhur, Liridona ka pasur shumë dukat”- shtoi Ademaj.

Ai ka folur edhe për motivin që mund ta ketë shtyrë të dyshuarin Naim Murseli në vrasjen e motrës së tij.

“Liridona e ka pasur një plumb tek veshi i djathtë, vetëm një plumb e ka pasur. Liridona ka pasur sigurime të larta në Suedi, sigurimi atje paguan shuma marramendëse nëse ndodh një fatkeqësi njërit prind. Ka mundur të ketë mbetur pa para, në borgje e ta privoj nga jeta motrën tonë që t’ia marr paratë sepse për para ata arrijnë në këtë pike”- tha Ademaj.

Ai shtoi se kanë kërkuar që trupi i motrës të zhvarroset nga Cërmajni dhe të sillet në fshatin e familjes.

“Kemi shkuar në polici dhe kemi kërkuar me ligj nëse na takon që të zhvarrosim motrën tonë”- ka thënë Ademaj.

Liridona Murseli, 30-vjeçare, është vrarë të mërkurën, më 29 nëntor, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Fillimisht, Policia e Kosovës, e ka raportuar rastin si “grabitje me pasoja të vrasjes”.

Dy ditë më vonë, më 1 dhjetor, Policia ka njoftuar për arrestimin e dy personave të dyshuar: dorasin G. P. dhe N. M., bashkëshortin e viktimës, të dyshuar për vrasjen e saj.

Më vonë, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, ka konfirmuar se në mesin e të arrestuarve për këtë rast, si i dyshuar, është edhe K. K., pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.