(Arkiv) Pamje nga protesta për Liridona Ademajn - Foto: KALLXO.com

Familja e Liridona Ademajt kërkon takim urgjent me Prokurorinë, dëshiron të informohet rreth rastit

Vëllai i Liridona Ademajt, Leonard Ademaj, ka njoftuar se i janë drejtuar Prokurorisë së Shtetit dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë për takim urgjent.

Kjo pasi familja e të ndjerës dëshiron që të informohet rreth rastit.

“Ju njoftojmë se sapo i jemi drejtuar prokurorisë për një takim urgjent që të informohemi rreth rastit të vrasjes së më të dashurës tonë Liridona Ademaj” – tha vëllai i viktimës.

Ai tutje shtoi se janë thellësisht falënderues për punën e bërë deri më tani nga Policia e Kosovës dhe nga Prokuroria, por tha se janë të shqetësuar që deri më tani Prokuroria nuk ka kontaktuar fare me ta.

“Ne ende zyrtarisht nuk jemi informuar se kush është prokuror i rastit dhe informacionet e vetme i kemi nga raportimet në media” – tha i njëjti.

Gjithashtu ai tha se duan të sqarojnë se nuk kërkojnë qasje në informacione konfidenciale, mirëpo kërkojnë që si familjarë të jenë të informuar.

Letra i është drejtuar ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit te Shtetit, Bekim Kelmendit, dhe Kujtim Munishit.

Lidhur me rastin e Liridona Ademajt janë arrestuar katër persona, në mesin e tyre është edhe bashkëshorti i saj, Naim Murseli.

Në dosjen e Prokurorisë që ka siguruar KALLXO.com, përmendet fakti se më 29 nëntor rreth orës 20:25 në rrugën “Dalip Alshiqi” në fshatin Bërnicë, me maskë në kokë e i armatosur kishte dalë para veturës tashmë i dyshuari Granit Plava dhe nga një afërsi e kishte qëlluar me plumb në qafë Liridona Ademajn.

Nga plaga që ka marrë Liridona Ademaj kishte vdekur ndërsa Prokuroria përshkruan edhe detaje të tjera të cilat tregojnë inskenimin e një grabitjeje, porse Prokuroria beson se bëhet fjalë për vrasje me pagesë.

Prokuroria në dokumentin e saj me të cilin ka kërkuar edhe masën e sigurisë-paraburgimin e tre të dyshuarve, Naim Murseli, Granit Plava e Kushtrim Kokalla, ka treguar rolin e secilit në rast.

Fillimisht, Naim Murseli pretendohet sipas dosjes që ishte marrë vesh me Granit Plavën që kur të dalë me maskë ta qëllojë me armë Liridona Ademajn, Naimi me dy fëmijët të largohej nga vetura fillimisht.

Raportimet e KALLXO.com për këtë rast i gjeni në këtë LINK.