Agim Veliu. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Veliu: I kam paralajmëruar se bashkimi i MPB dhe MAP do të ketë sfida

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu është ftuar që të raportojë para Komisionit për Qeverisje Lokale, Administratë Publike, Zhvillim Rajonal dhe Media.

Në këtë komision ai u pyet nga deputeti Alfred Kinolli në lidhje me qëllimin e fuzionimit të dy ministrive atë të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike në një të vetme.

“U përmend fuzionimi i dy ministrive që funksionojnë në një vend të vetëm. Cili ka qenë qëllimi i fuzionimit të dy këto ministrive në një vend të përbashkët. Duke pasur parasysh se Ministria e Administratës publike është udhëhequr nga Yagcilar, e dimë më së miri sepse jemi moti në komision dhe jemi familjarizu me problemet që kanë qenë në administratë publike dhe mendimi im është që ende nuk arrij të kuptoj se cili ka qenë qëllimi i fuzionimit të këto dy ministrive”, tha Kinolli.

Ai tutje përmendi se “viteve të fundit nuk ka ndonjë raport ndërkombëtar, të progresit të Bashkimit Evropian që vëmendje të veçantë nuk i jep administratës publike gjegjësisht efikasitetit në këtë ministri”.

Kinolli pyeti ministrin Veliu në lidhje me gjendjen aktuale të emërtimit të dy ministrive në një dhe se me cilat vështirësi përballen.

Ministri Veliu tha se vendimi për fuzionim ka qenë politik dhe i qëllimshëm nga Qeveria Kurti, ku emërtimi më pas ka vazhduar edhe në qeverinë Hoti.

“Sa i takon vendimit për fuzionim, është politik qëllimisht i qeverisë Kurti pastaj ka vazhduar edhe me qeverinë Hoti e njëjta. Në qeverinë Kurti emërtimi i kësaj ministrie ka qenë MPBAP ndërsa tash është vetëm MPB. Përparësia e emërtimit si MPB është se pasojat sa i takon dokumentacioneve dhe ligjeve janë më të vogla në rast të ndërrimit të emrit MPBAP unë kam tërhequr vërejtjen se do të kemi pasoja të shumta sepse duhet të ndërrojmë të gjitha dokumentacionet, letërnjoftimet pasaportat të gjitha dhe të gjitha ligjet të cilat i rregullojnë këto dy ministri”, tha Veliu.

Ai shtoi se puna e fuzionimin ka qenë punë e vështirë por tani janë në proces të bashkimit dhe rregullimit të departamenteve dhe agjencive që janë brenda dy ministrive.

“Ka qenë me atë emërtim, punë jashtëzakonisht e vështirë mirëpo ndodhi çka ndodhi edhe është mirë që në këtë proces të bashkimit është ruajtur vetëm MPB sepse këtu pasojat që i theksova në këtë rast nuk i kem por procesi i bashkimit është i detyrueshëm sepse është vendim politik që është votuar edhe në kuvend. Nuk është e lehtë për arsye se në MPB përveç departamenteve të shumta janë edhe pesë agjenci edhe në Ministri të Administratës Publike janë po ashtu departamente dhe dy agjenci”, shtoi Veliu.

Ministri Veliu shtoi se janë në proces të hartimit për rregullimin e departamenteve duke theksuar se të dy ministritë kanë pasur departamente ligjore të cilat tani duhet të bëhen vetëm një dhe njëri nga drejtorët do të mbes pa pozitën që kishte më parë.

“Ne në parim jemi marrë vesh që gjatë procesit të hartimit të rregullores së punës, aty ku kemi dyfishim të departamenteve t`i unifikojmë në rastet ku ka specifika sepse kam vërejt gjatë procesit të bashkimit që në MAP duhet të ketë kujdes dhe kam pasur kujdes. Por jemi marrë vesh që departamentet e njëjta të bashkohen dhe sigurisht si pasojë e kësaj njëri nga drejtorët do të mbetet pa atë pozicion që ka por do të kujdesemi që në bazë të kërkesës ligjore ai që mbetet pa atë pozitë t’i gjejmë një pozicion ekuivalent në bazë të kërkesës ligjore”, tha Veliu për këtë çështje.

Kujtojmë se Ministri Veliu nuk ka raportuar para Komisionit për Siguri kur është ftuar nga ana e anëtarëve nën arsyetimin se kishte agjendë dhe nuk gjente kohë.