Vdes babai i Kadri Veselit

Gjatë ditës së sotme ka vdekur babai i ish- kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.

Lajmin e ka bërë të ditur ish- zëdhënësi i PDK-së Avni Bytyçi.

“Gati një shekull jetë, një jetë plot vuajtje e krenari. Ngushëllim familjes Veseli për kalimin në amshim të Haxhi Fazli Veselit, babait të Kryetarit z. Kadri Veseli.  Haxhi, do të më merr malli për bisedat tona, e aq më shumë për namazin që falnim bashkë sa here që isha në konakun tënd të madh”, ka shkruar Bytyçi.

KALLXO.com pati raportuar se Ish-lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka qenë në Kosovë në maj të këtij viti për shkak të gjendje shëndetësore të babait të tij.

Këtë e kishte konfirmuar për KALLXO.com edhe zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Angela Griep.

“Për shkak të arsyeve bindëse humanitare, gjyqtari i procedurës paraprake ka udhëzuar Sekretarinë që të menaxhojë një vizitë kujdestarie në Kosovë për të takuar familjen e ngushtë. I akuzuari mbetet në paraburgim dhe nën mbikëqyrjen e Dhomave të Specializuara”, ka bërë të ditur ajo.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi po akuzohen se si drejtues të UÇK-së kishin kryer krime kundër njerëzimit gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Për këto akuza ata po mbahen në paraburgim prej momentit kur ishin arrestuar në Kosovë.