Vdekja e policit të Kosovës në Jarinjë, reagon ministri Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe kolegëve të policit që u raportua se ka vdekur në Jarinjë, të dielën.

Sveçla ka thënë se policin Rexhep Sejdiu do ta kujtojnë si zyrtar të përkushtuar e të palodhur, të angazhuar në luftë kundër çdo kriminaliteti veçanërisht viteve të fundit në veriun e vendit, si pjesëtar i Njësisë së Ndërhyrjes së Shpejtë të kufirit.

‘’Me pikëllim të thellë kam pranuar lajmin e ndarjes nga jeta të Zyrtarit Policor Rexhep Sejdiu gjatë kohës që ishte në detyrë në Stacionin e Njësisë së Ndërhyrjes së Shpejtë të Kufirit në Jarinjë’’ – ka shkruar Sveçla në profilin e tij në Facebook.

Ai po ashtu ka përmendur faktin se Sejdiu së bashku me kolegët e tij para një viti i kishte rezistuar me qëndrueshmëri bllokimit 19-ditor në Jarinjë pasi kishin arrestuar ish-zyrtarin policor Dejan Pantiq. 

‘’Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes së tij, nënës, bashkëshortes e fëmijëve të tij. Të gjithë kolegëve e Policisë së Kosovës për humbjen e pjesëtarit të tyre’’ – ka përfunduar Sveçla.

Rexhep Sejdiu ka vdekur sot në mëngjes në një pikë të Njësisë së Ndërhyrjes së Shpejtë në Jarinjë.

Sipas zëvendësdrejtorit të Policisë në Drejtorinë Rajonale Mitrovicë – Veriu, Veton Elshani, Sejdiu ka punuar në njësinë speciale të kufirit nga viti 2022 dhe vdekja e tij ka qenë vdekje natyrale.

Sejdiu ishte i moshës 46-vjeçare dhe varrimi i tij do të bëhet nesër.