Vazhdon qarkullimi i parave të falsifikuara, të mërkurën u raportuan katër raste në Polici

Katër raste të falsifikimit të parasë janë raportuar në Policinë e Kosovës gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë.

Të gjitha këto raste kanë ndodhur në rajonin e Prishtinës.

Një zyrtare e bankës ka raportuar në Policinë e Kosovës se gjatë numërimit ka hasur në pesë kartëmonedha të 100 eurove, që dyshohen të jenë të falsifikuar.

Sipas Policisë, monedhat janë konfiskuar dhe rasti ka shkuar në procedurë hetimore.

Rasti tjetër ka ndodhur në Rrugën C në Prishtinë. Një menaxhere marketi ka raportuar në Polici se ka pranuar një monedhë në vlerë prej 100 euro nga një klient, për të cilën dyshohet se janë të falsifikuara.

Policia ka njoftuar se monedha është konfiskuar, ndërsa rasti ka shkuar në procedurë hetimore.

Në rrugën Agim Ramadani të Prishtinës është raportuar një rast tjetër i falsifikimit të parasë.

Policia e Kosovës njofton se një zyrtare e bankës private, gjatë numërimit ka hasur në pesë monedha në vlerë prej 100 euro që dyshohet të jenë të falsifikuara.

Monedhat janë konfiskuar dhe rasti është në procedurë hetimore, thuhet në raportin policor.

Në rrugën Ilaz Kodra të Prishtinës, një menaxhere e një marketi ka raportuar në Policinë e Kosovës se nga një klient ka pranuar një monedhë prej 100 euro, për të cilën dyshet të jetë e falsifikuar.

Sipas Policisë, monedha është konfiskuar dhe rasti shkon në procedurë hetimore.