Ushtarë, mjekë, zjarrfikës e qytetarë kujtojnë sulmet e 11 shtatorit (FOTO)

Garda ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës, pjesëtarë të Policisë, staf mjekësor dhe zjarrfikës u mblodhën sot në sheshin “Bill Clinton” në lagjen “Dardania” në Prishtinë në nderim të viktimave të sulmit terrorist te 11 shtatorit të vitit 2001 në ShBA.

Siç është bërë traditë nga vitet tjera, edhe këtë vit tek shtatorja e ish-presidentit amerikan, Bill Clinton u bë ulja e flamurit në gjysmë-shtizë.

Ky mbledhim u organizua nga Shoqata “Miqtë e Amerikës”.

Po ashtu, mëngjesin e ditës së sotme në nderim të viktimave të sulmeve terroriste, te obelisku në oborrin e Qeverisë së Kosovës u ndezën qirinj, kurse nga ora 13:00 do të hapet në Muze një ekspozitë me fotografi.

11 shtatori i vitit 2001 është dita kur bota u trondit nga sulmet terroriste që u bënë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku mbetën të vrarë 2 mijë e 997 njerëz.

Në këtë ditë lideri i Al -Kaedas nga Afganistani, Osama bin Laden organizoi 90 burra që rrëmbyen katër aeroplanë tregtarë amerikanë të ngarkuar me karburant.

Dy nga këta aeroplanë goditën qëllimisht Kullën Veriore dhe atë Jugore, ndryshe të njohura si Kullat Binjake.

Aeroplani i tretë goditi një ndërtesë në Pentagon të Uashingtonit.

Ndërsa, ai i katërti u përplas në një fushë pranë Shanksville në Pensilvani.

Ky i katërti besohet se u përplas në fushë pasi që pasagjerët dhe bordi drejtues që ishte aty tentuan të marrin nën kontroll prapë aeroplanin duke mos lejuar që grupi sulmues të shkonte në vendin që kishin planifikuar të sulmonin.

Mosha e viktimave në këtë sulm ishte nga dy deri në 85 vjeç, ku përafërsisht 75 deri në 80% e viktimave janë burra.