Uran Ismaili: Neglizhenca e shtetit çoi te vdekja e të riut, ministrat Vitia dhe Sveçla të japin dorëheqje

Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, Uran Ismaili, duke folur për rastin e vdekjes së të riut nga Gjilani në Qendrën e Studentëve ka thënë se ministri i Shëndetësisë dhe ai i Punëve të Brendshme duhet të japin dorëheqje.

“Sot, më e pakta që do të duhej të ndodhte – është dorëheqja e Ministrave Arben Vitia dhe Xhelal Sfeçla, e cila do të duhej të vinte të paktën si një akt moral”, ka thënë ai në një konferencë për media.

Sipas Ismailit deri te kjo vdekje ka ardhur si pasojë e neglizhencës institucionale. Ai tha se institucionet përkatëse kanë qenë të njoftuara për gjendjen shëndetësore të të riut.

“Fatkeqësisht, përkundër rekomandimit nga Ambasada e Kosovës në Berlin, që edhe Agoni të dërgohej në shtëpi, ai përfundoi në karantinën e Qendrës së Studentëve. Ngjarja bëhet edhe më e dhimbshme, pas raportimeve se ky i ri kishte probleme serioze shëndetësore dhe kishte dokumentet që e dëshmonin një gjë të tillë, kishte një kërkesë nga familja që për këtë arsye djali i tyre të lirohej, ndërsa edhe vetë ai kishte kërkuar të mos mbahej në izolim”, tha ai.

Sipas tij, i riu kishte kërkuar ndihmë mjekësore edhe në kohën sa ishte në Qendrën e Studentëve.

“Ndërkohë, sa ishte në karantinë, ishte kërkuar edhe ndihma e mjekëve, duke qenë se Agoni ishte në depresion, ashtu siç konfirmohet edhe në komunikimin zyrtar të Qendrës Operative Emergjente të Komunës së Gjilanit drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme”, tha ai.

Ish-ministri i shëndetësisë kërkoi që i gjithë procesi i karantinimit të hetohet sepse aty ka pasur edhe shkelje të tjera.

“Po ashtu, janë shqetësuese faktet që po nxirren nga qytetarët e karantinuar në Qendrën Studentore, sipas të cilëve – trajtimi i tyre nuk është i barabartë, pasi që disa persona dyshohet se janë liruar nga karantinimi me lidhje personale me pushtetin, dy-tri ditë pas riatdhesimit. Ndërsa, disa të tjerë vazhdojnë të mbahen aty deri në dy javë – ashtu siç ishte vendosur me masat e ndërmarra nga Qeveria”, tha ai.

“Prandaj, është e domosdoshme të ndërmerren hetime të thella, jo vetëm për këtë rast të dhimbshëm të Agonit, por edhe për gjithë mënyrën se si është administruar karantina dhe si janë trajtuar qytetarët tanë gjatë kësaj periudhe të pandemisë”, theksoi ai.

Ministria e Shëndetësisë ka reaguar në lidhje me raportimet se i riu që vdiq dje në karantinë kishte pasur problem shëndetësore para se të vendosej në karantinën në Qendrën e Studentëve.

“Duke e parë keqpërdorimin që media dhe individë të caktuar janë duke i bërë një dokumenti orientues të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Gjermani, përkatësisht listës së të riatdhesuarve nga Gjermania të datës 2 maj 2020, ku figuron edhe emri i të ndjerit A. M. qe vdiq më 3 maj, dhe për në cilin në këtë dokument të Ambasadës shkruan se “prob. shëndetësore, posedon vërtetem”, thuhet në reagim.

“Ministria e Shëndetësisë dëshiron të sqarojë se ky dokument nuk është i MSh-së siç po manipulohet me të dhe se i ndjeri, pavarësisht çfarë shkruan në listën e Ambasadës, me rastin e riatdhesimit në Kosovë, nuk ka prezantuar asnjë vërtetim mjekësor”, ka shtuar më tej.

Ministria e Shëndetësisë  ka shtuar se posedon raportet mjekësore të të ndjerit, të përpiluara nga mjekët në pritje dhe  që për shkaqe të etikës mjekësore dhe ruajtjes së privatësisë nuk do ta bëj publik,

“Ku gjatë marrjes së të dhënave anamnestike, në praninë e mjekut përgjegjës, me rastin e mbërritjes në Kosovë, i ndjeri nuk ka raportuar asnjë lloj sëmundjeve apo shqetësim shëndetësor. Për më tepër, MSh e ka edhe raportin me shkrim të profesionistit shëndetësor që e ka vizituar pacientin, të vërtetuar edhe përmes faksimilit mjekësor në të cilin, thuhet se pacienti nuk ka raportuar dhe as treguar për ndonjë sëmundje apo problem shëndetësor”, thuhet më tej.

Ministria ka shtuar se profesionisti shëndetësor e ka konfirmuar edhe “post factum” se i ndjeri gjatë kontrollimit mjekësor nuk ka deklaruar asnjë problem apo vërtetim shëndetësor.

“Prandaj, Ministria e Shëndetësisë ri-përsërit se ka kërkuar nga Prokuroria e shtetit që të bëjë hetim të plotë rreth këtij rasti, ndërkohë që kërkon gjithashtu në të njëjtën kohë edhe hetim ndaj atyre që duke manipuluar me dokumente që nuk janë lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë, po keqpërdorin tragjedinë e një të riu për qëllime të ulëta”, është thënë në fund.

Dje një person ka vdekur pasi dyshohet se ka rënë nga një prej konvikteve në Qendrën e Studentëve në Prishtinë. Viktima është 26-vjeçar nga komuna e Gjilanit.

Konviktet në Qendrën e Studentëve janë shndërruar në karantinë që nga paraqitjet e rasteve të para të të sëmurëve me COVID-19.

Aty janë të vendosur dhjetëra qytetarë të Kosovës, të cilët kanë ardhur nga vendet e jashtme si masë e parandalimit të përhapjes së pandemisë.