Fakulteti Juridik i UP-së, pa studime të doktoratës

Studentët e Fakultetit Juridik që synonin të ndjeknin studimet e doktoratës gjatë vitit akademik 2021/2202. nuk e patën këtë mundësi. Kjo pasi UP-së nuk i ishte riakredituar programi i studimeve të doktoratës në vitin 2021 nga ana e Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC).

Në mars të vitit 2021, Këshilli Shtetëror i Cilësisë të Agjencisë së Akreditimit, ia kishte refuzuar aplikacionin Fakultetit Juridik të UP-së për riakreditim të programeve të doktoratës “E Drejta Penale, E Drejta Civile dhe E Drejta Financiare”.

E pa kënaqur me këtë vendim, UP-ja kishte bërë ankesë më 27 prill të vitit 2021, në Komisionin e Ankesave të Agjencisë për Akreditim, por edhe ky organ ia refuzoi ankesën, derisa lënda ka shkuar edhe në Gjykatë.

UP të pakënaqur me refuzimin e aplikacionit nga ana e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, kishin bërë ankesën tek Komisioni i Ankesave të AKA, duke konsideruar se kriteret e reja të parapara në Standardet për Vlerësimin e Programeve të Doktoratës të vitit 2020, shkelin dispozitat e Udhëzimin Administrativ për Akreditim të Programeve.

Por, sipas vendimit të Komisionit të Ankesave të marrë më 29 shtator të vitit 2021, një gjë e tillë nuk qëndron, pasi Ligji për Arsimin e Lartë në Kosovë, ka përcaktuar se Agjencia e Akreditimit shpall politikat, kriteret, standardet për akreditim të institucioneve të arsimit të lartë.

UP-ja po ashtu kishte konsideruar se standardet e vendosura nga KShC për programe të doktoratës të vitit 2020, janë arbitrare dhe vendimi është jo mjaftueshëm i justifikuar duke ju referuar edhe një rregulle të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Gjykatës Kushtetuese.

Për këtë, Komisioni i Ankesave të AKA-së kishte konsideruar se institucioni nuk mund të vë në zbatim një normë juridike apo një ligj në mënyrë arbitrare dhe të pa arsyeshme dhe nuk është i aplikueshëm për këtë rast.

“Duke qenë se ligji material është në fuqi që nga viti 2011 dhe ky ligj ka përcaktuar të drejtën e AKA-së për shpalljen e politikave, kritereve dhe standardeve të reja për akreditim dhe për më tepër këto kritere të përcaktuara, janë kritere të cilat besohet dhe llogariten si të  tilla brenda një institucioni arsimor që ofron studime të doktoratës”, thuhej në vendimin e Komisionit të Ankesave të siguruar nga KALLXO.com.

Komisioni i Ankesave të AKA-së po ashtu ka theksuar se standardet e doktoratës të miratuara në vitin 2020, janë për të gjitha IAL-të dhe standardet e kërkuara janë kërkesë e ENQA-së.

KALLXO.com përmes burimeve ka kuptuar se për këtë çështje Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka deponuar padi në Gjykatën e Prishtinës.

Doktorata përfaqëson ciklin e tretë të studimeve të arsimit të lartë, si i tillë, shërben për të lidhur Zonën Evropiane të Arsimit të Lartë (EHEA) me Zonën Evropiane të Kërkimit Shkencor (ERA).

Standardet thelbësore për studimet e doktoratës të vitit 2020 janë: Institucioni ka një staf të mjaftueshëm akademik me një gradë doktorature, në mënyrë që të paktën 50% e kurseve në nivelin e doktoratës të ligjërohen nga stafi akademik i po atij institucioni.

Më tej, të paktën 5 mësimdhënës të stafit akademik duhet të kenë një Doktoraturë në fushën e kërkimit të programit të doktoratës dhe të kenë së paku 3 punime, si autor i parë ose korrespondues, të botuar në botimet përkatëse ndërkombëtare në 5 vitet e fundit. Rëndësia e botimeve përcaktohet në bazë të kritereve ndërkombëtare për fushën e veçantë të shkencës – të indeksuar në Web of Science dhe/ose SCOPUS.

Institucioni ka hartuar rregullore institucionale për programet e doktoraturës që janë ose pjesë e rregulloreve ekzistuese, por si një pjesë e emëruar veçantë, ose si një dokument i pavarur si dhe institucioni ka ndarë burime të mjaftueshme njerëzore (akademike dhe administrative),
hapësinore, burime fizike dhe financiare, posaçërisht për të mbështetur programet e doktoratës.