Foto: Presidentja Vjosa Osmani në Facebook

Presidentja Osmani i nderon me medalje studentët e UP-së që zunë vendin e tretë në botë në garën e drejtësisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka ndarë mirënjohje presidenciale anëtarëve të ekipit të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, të cilët dolën të tretët në garën prestigjioze të drejtësisë në botë, “Willem C Vis International Arbitration Moot”, në Vjenë të Austrisë.

“Ata janë personifikimi më i mirë i rinisë sonë–të talentuar, të motivuar e të përkushtuar për të arritur çdo sukses e për ta ngritur lartë e më lartë shtetin tonë”- ka shkruar Osmani në Facebook.

Gjashtë studentët e Fakultetit Juridik më 29.03.2024, arritën të hyjnë në top-treshen më të mirë në botë në një konkurrencë prej rreth 400 universitetesh nga e gjithë bota.

Studentët që lanë pas studentët e univeristeteve më të sukseshme botërore si Harvardi, Yale, Stanford, Columbia, Oxford, Cambridge, Princeton, Duke, LSE, janë: Ariana Rexha, Dea Fetiu, Morea Pula, Melisë Sejdiu, Nol Musa, Rea Hadri trajnerët profesorë janë Donikë Qerimi, Ilir Hajraj dhe Art Sylaj.

“Willem C Vis International Arbitration Moot” është garë e arbitrazhit ndërkombëtarë komercial dhe cilësohet si gara më e madhe e drejtësisë në botë.

Qëllimi i Vis Moot është të nxisë studimin e së drejtës tregtare ndërkombëtare dhe arbitrazhit dhe të ofrojë një trajnim praktik për studentët për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare të biznesit.