Foto: Universiteti i Prishtinës

UP nënshkruan marrëveshje me Konfederatën Zvicerane për të avancuar edukimin për të drejtat e njeriut

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka nënshkruar marrëveshje me Konfederatën Zvicerane për të avancuar edukimin për të drejtat e njeriut.

Ky edukim do të ofrohet nga programi i akredituar së fundmi në UP, në gjuhën anglezen: Programi Master në të Drejtat e Njeriut, E Drejta Penale Ndërkombëtare dhe Drejtësia Tranzicionale.

Sipas Rektorit të UP-së, Qerim Qerimi, ky është programi i parë ndërkombëtar në universitetet publike në Ballkanin Perëndimor.

“Nuk ka asnjë program të akredituar të arsimit të lartë që merret me të drejtat e njeriut në Kosovë si dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Pasja e këtij programi në Kosovë do t’u mundësojë të diplomuarve të këtij programi që të kontribuojnë në shoqëri në këtë fushë” – tha rektori Qerimi.

Avni Puka, dekan i Fakultetit Juridik tha se në mesin e ligjëratave ndërkombëtare, tre mësimdhënës nga universitetet prestigjioze zvicerane në Gjenevë dhe Lozanë kanë konfirmuar disponueshmërinë për të marrë pjesë në zbatimin e programit master si ligjërues të ftuar, mentorë dhe hulumtues.

“Programi synon gjithashtu të krijojë partneritet dhe bashkëpunim afatgjatë me Akademinë e Gjenevës për të Drejtën Ndërkombëtare dhe të Drejtat e Njeriut dhe Institutin e Gjenevës për të Drejtat e Njeriut, për të mësuar nga praktikat e tij më të mira dhe përvoja e vlefshme në zbatimin e programeve akademike në të drejtat e njeriut” – thuhet në njoftimin e UP-së.

Kjo marrëveshje, sipas Universitetit të Prishtinës ka të bëjë me projektin/aktivitetin e titulluar “Ngritja e kapaciteteve për instrumentet dhe mekanizmat për të drejtat e njeriut dhe zhvillim me partnerë (DwP) për praktikuesit dhe profesionistët”.

Në nënshkrimin e këtij bashkëpunimi, morën pjesë edhe Sarah Jaquiery, Sekretarja e Parë – Këshilltare për të Drejtat e Njeriut në Ambasadën e Zvicrës dhe Ljubisha Bascareviq nga Këshilli i Evropës.