UP humb betejën e parë ndaj AKA-së për studimet e doktoratës të Fakultetit Juridik

Gjykata e Prishtinës e ka refuzuar kërkesën e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Komisionit të Ankesave të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës (AKA), për programet e doktoratës të Fakultetit Juridik.

Komisioni i Ankesave i Agjencisë së Kosovës për Akreditim e kishte refuzuar një ankesë të UP-së më 29 shtator të vitit 2021, që kishte të bënte me mos pranimin e aplikacionit për riakreditim të programeve të doktoratës të Fakultetit Juridik nga ana e Këshillit Shtetëror të Cilësisë të AKA-së.

Në mars të vitit 2021, Këshilli Shtetëror i Cilësisë të Agjencisë së Akreditimit, ia kishte refuzuar aplikacionin Fakultetit Juridik të UP-së për riakreditim të programeve të doktoratës “E Drejta Penale, E Drejta Civile dhe E Drejta Financiare”.

E pa kënaqur me këtë vendim, UP-ja kishte bërë ankesë më 27 prill të vitit 2021, në Komisionin e Ankesave të Agjencisë për Akreditim, por edhe ky organ ia refuzoi ankesën dhe UP-ja më 5 nëntor 2021, ka ushtruar në Gjykatën e Prishtinës padi për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Komisionit të Ankesave të AKA-së.

Pas kësaj, Gjykata Themelore e Prishtinës e ka shqyrtuar dokumentacionin dhe ka theksuar se UP-ja me asnjë provë nuk e ka bërë të besueshme pretendimin se pezullimi i ekzekutimit të vendimit, nuk është në kundërshtim me interesin publik, kusht ky ligjor për shtyrjen e ekzekutimit.

“Përfaqësuesi i autorizuar i paditësit, me kërkesën për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit, nuk ka dhënë fakte për të mbështetur kërkesën e tij, respektivisht nuk ka ofruar prova për të vërtetuar plotësimin e kushteteve të parapara me nenin 22 paragrafi 2 të Ligjit për Konflikte Administrative”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës së Prishtinës, të siguruar nga KALLXO.com.

“Kërkesa për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të paditurës, tërësisht është e mbështetur në provat dhe faktet që kanë të bëjnë më çështjen kryesore, për cilat gjykata do të vendos në mënyrë meritore pas shqyrtimit të padisë dhe kërkesëpadisë, por të cilat nuk u vlerësuan me ndikim për vlerësimin e besueshmërisë së kërkesës për shtyrje të ekzekutimit të vendimit”, thuhet më tej.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në Universitetin e Prishtinës për të marrë informacione nëse e kanë pranuar aktvendimin e Gjykatës së Prishtinës dhe a kanë bërë ankesë në Gjykatën e Apelit, por deri në publikimin e artikullit nuk kanë kthyer përgjigje.

Doktorata përfaqëson ciklin e tretë të studimeve të arsimit të lartë, si i tillë, shërben për të lidhur Zonën Evropiane të Arsimit të Lartë (EHEA) me Zonën Evropiane të Kërkimit Shkencor (ERA).

Fakulteti Juridik i Universitetit të Prishtinës këtë vit akademik ka qenë pa studime të doktoratës.

Fakulteti Juridik i UP-së, pa studime të doktoratës

.