Universiteti i Ferizajt nuk i merr seriozisht masat kundër COVID-19 (FOTO)

Sapo të hysh në oborrin e Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Kosovës nuk do të mund të shohësh asnjë shenjëzim për mbajtje të distancës sipas asaj që ka rekomanduar Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Te dera e hyrjes brenda objektit janë vendosur dy shenja paralajmëruese në gjuhën angleze “Face masks must be worn” (Maskat duhet të barten).

E njëjta situatë është edhe brenda objektit të Universitetit, nuk ka ndonjë shenjëzim për mbajtje të distancës e madje as dezinfektues, gjithashtu edhe banjot nuk janë të furnizuara me detergjentë dhe letra higjienike.

Në anën tjetër në vend janë duke u regjistruar raste të shumta të infektimit çdo 24 orë. Vetëm sot në nivel vendi janë shënuar 764 raste të reja me coronavirus ndërsa 12 persona kanë vdekur brenda 24 orëve si pasojë e infeksionit.

Si pasojë e rasteve të shumta me COVID-19, Qeveria e Kosovë ka vendosur në zona të kuqe, të verdhë dhe të gjelbër disa nga komunat, varësisht nga numri i të infektuarve.

Mungesa e udhëzuesit në hyrje të Universitetit të Ferizajt

KALLXO.com ka vizituar objektin e Universitetit për t’i pyetur edhe dekanët në lidhje me respektimin e masave por të njëjtit nuk ishin të pranishëm. KALLXO.com ka tentuar të kontaktojë përmes telefonit me dekanët e fakulteteve por ata ishin të paqasshëm.

Gjithashtu, KALLXO.com ka dërguar dy herë radhazi pyetje në lidhje me masat e ndërmarra nga Universiteti për masat parandaluese ndaj COVID-19 por nuk ka marrë përgjigje deri në publikim të këtij artikulli.

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, procesi mësimor në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, publik dhe privat, organizohet në formën online, ndërsa provimet, puna praktike dhe laboratorike organizohen duke respektuar të gjtiha rekomandimet e IKShPK-së dhe MSh-së. Ky vendim do të shqyrtohet vazhdimisht, varësisht nga situata e COVID-19 në Kosovë.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.

Mungesa e shenjëzimit në koridoret e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj
Mungesa e detergjentëve dhe letrave të tualetit në banjot e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj
Mungesa e shenjëzimit në hapësirat e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj

 

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.