Foto: Sky News

UNHCR: 368,000 refugjatë janë larguar nga Ukraina

Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, UNHCR, Filippo Grandi, ka përditësuar vlerësimin e tij për numrin e refugjatëve që janë larguar nga Ukraina, duke pretenduar se numri total tani është 368,000.

“Numrat e refugjatëve të Ukrainës sapo janë rifreskuar – këto janë bazuar në të dhënat e disponueshme nga autoritetet kombëtare. Totali aktual tani është 368,000 dhe vazhdon të rritet ndërkohë”,tha ai në një postim përmes rrjetit social në ‘Twitter’.

Sot, është dita e katërt e pushtimit rus të Ukrainës – lufta e parë e madhe tokësore në Evropë në dekada.

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se ka nisur, sipas tij, një operacion “special” për “çmilitarizimin dhe denacifikimin” e Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Britania e Madhe dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse për këtë luftë./Sky News