Venecia, Itali - Dhjetor 2022, Foto: Emirjeta Vllahiu/ KALLXO.com

UNESCO e lë Venecian jashtë listës së trashëgimisë në rrezik

Qyteti italian i Venecias dhe laguna e tij nuk u renditën në listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik të UNESCO-s gjatë një takimi të agjencisë së OKB-së në Arabinë Saudite të enjten, sipas ministrisë italiane të kulturës.

Siç raporton CNN, Komiteti i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s kishte paralajmëruar në korrik se Italia nuk po bënte mjaftueshëm për të mbrojtur qytetin nga kërcënimi i mbiturizmit, zhvillimit dhe ndryshimeve klimatike.

Ai kishte rekomanduar që ajo t’i shtohej listës së trashëgimisë së saj në rrezik. Megjithatë, votimi të enjten nuk e kaloi atë rekomandim, sipas ministrisë së kulturës.

Ministria italiane e kulturës përshëndeti rezultatin e votimit të UNESCO-s në Arabinë Saudite, duke e përshkruar përpjekjen për të regjistruar qytetin në listë si “thjesht politike”.

“Fitorja e madhe në UNESCO… Venecia nuk është në rrezik”, shkroi në Twitter kryetari i saj Luigi Brugnaro të enjten.

Qyteti ka qenë në titujt kryesorë të gazetave gjatë gjithë vitit, duke përfshirë kur një njollë e gjelbër zbardhi Kanalin e Madh dhe kur pati arrestime të turistëve me sjellje të keqe.

Kohët e fundit, si pjesë e strategjisë së tij për të kontrolluar turizmin, qyteti miratoi një tarifë hyrje prej 5 € për udhëtarët ditorë që fillojnë pranverën e ardhshme.

Tarifa do të zbatohet për ata që nuk janë në prona me qira ose hotele dhe do të fillojë si një eksperiment 30-ditor.

Pas vendimit, Komiteti i Trashëgimisë Botërore tha se Venecia ende përballet me sfida të mëdha dhe i kërkoi Italisë që të vazhdojë ta mbrojë atë./CNN

Përgatiti:Xheneta Murtezaj