Ukraina thotë se ka rrëzuar dy aeroplanë luftarakë të zbulimit rus

Forcat ajrore ukrainase rrëzuan një aeroplan rus zbulimi që mund të identifikojë objektivat në distancë prej 650 kilometrash, si dhe një aeroplan tjetër të rëndësishëm që transferon urdhrat e komandës ruse tek forcat në terren.

Rrëzimi i aeroplanëve luftarake është një goditje e rëndë ndaj forcave të Kremlinit, njoftoi të hënën komandanti ushtarak i Ukrainës.

Aeroplanët ishin pjesë thelbësore e infrastrukturës që ndihmon në orkestrimin e lëvizjeve të forcave ruse në fushëbetejë në Ukrainë. Rrëzimi i tyre, nëse konfirmohet, do të shënojë një arritje të dukshme të Ukrainës në luftën gati dyvjeçare kundër agresionit rus, ndërkohë që luftimet përgjatë vijës së frontit kanë ngecur.

Rusia ka ruajtur kryesisht epërsinë ajrore gjatë luftës pasi ushtria e Ukrainës ka vetëm aeroplanë të vjetër të periudhës sovjetike.

Gjenerali Valeriy Zaluzhnyi, komandanti i forcave të armatosura të Ukrainës, nuk tha se si ishin rrëzuar dy aeroplanët. Kievi është furnizuar kohët e fundit nga Perëndimit me sisteme sofistikuara kundërajrore.

Gjenerali Zaluzhnyi nuk njoftoi se në çfarë rajoni gjeografik ishin zbuluar avionët, ndonëse postimi shoqërohej me disa pamje me video gjurmuese radarësh që tregonin dy objektivat tek zhdukeshin mbi Detin Azov, që shtrihet ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë, në veri të Gadishullit të Krimesë dhe Detit të Zi.

Moska nuk ka komentuar. Blogerët rusë të luftës thanë se dy aeroplanët ishin qëlluar gabimisht nga zjarri rus, ndonëse nuk dhanë ndonjë provë. Ata thanë se avioni Il-22 ishte dëmtuar, por ishte ulur me sukses.

Aeroplani tjetër i modelit A-50, i cili është i pajisur me një radar të madh, zakonisht transporton një ekuipazh prej 15 vetash. Forca ajrore ruse thuhet se ka një flotë prej nëntë aeroplanësh të tillë.

Një sulm në shkurt të vitit 2023 ndaj një baze ajrore në Bjellorusi dëmtoi një aeroplan të tipit A-50, por zyrtarët rusë dhe bjellorusë e cilësuan dëmin si të vogël.

Aeroplani i tipit “Il-22” shërben si post komandues i forcave ajrore, që mbikëqyr operacionet ushtarake dhe u dërgon sinjale radioje trupave në vijën e frontit. Sipas raporteve, forcat ajrore ruse kanë një duzinë aeroplanësh të tillë.

Ukraina po mundohet t’u tregojë aleatëve të saj perëndimorë aftësitë e ushtrisë së saj mbi përdorimin e armatimeve të ardhura nga shtetet aleate.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy do të takohet të hënën në Bernë me Presidenten Viola Amherd të Zvicrës, ndërsa merr pjesë në Forumin Ekonomik të Davosit.

Zyrtarët ukrainas po mundohen që ta përqendrojnë vëmendjen e botës tek lufta e tyre kundër agresionit rus mes shqetësimeve se konflikti po del në plan të dytë në arenën ndërkombëtare.

Organizata e Kombeve të Bashkuara bëri thirrje të hënën për një ndihmë prej 4.2 miliardë dollarësh për të ndihmuar banorët e Ukrainës dhe ata që janë zhvendosur gjatë këtij viti.

Drejtori i ndihmave i OKB-së Martin Griffiths njoftoi se “gara për fonde po bëhet gjithnjë e më e madhe” për shkak të krizave në mbarë botën, përfshirë luftën ndërmjet Izraelit dhe Hamasit në Gazë.

Rusia, ndërkohë, po mundohet të thellojë marrëdhëniet me Korenë e Veriut, ndërsa kryediplomati i Phenianit filloi të hënën një vizitë treditëshe në Moskë.

Kremlini po përpiqet të rrisë rezervat e armëve. Së fundi i është drejtuar Iranit dhe Koresë së Veriut për furnizime.

Mendohet se Koreja e Veriut ka furnizuar Rusinë me disa lloje raketash për përdorim në luftën e saj në Ukrainë, krahas furnizimit me municion dhe predha, sipas pretendimeve të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj.

Ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes së Rusisë dhe Iranit kanë zhvilluar biseda telefonike të hënën për të diskutuar bashkëpunimin dypalësh ushtarak dhe teknik mbi çështjet e sigurisë rajonale, sipas burimeve zyrtare. Ata theksuan se dy vendet po përgatiten për të nënshkruar një marrëveshje të rëndësishme bashkëpunimi.

Ukraina po ashtu synon të rrisë rezervat e armatimeve në përgatitje për një luftë të gjatë dhe “në mënyrë dramatike po zgjeron” kapacitetin e vet për të prodhuar pajisje ushtarake, sipas një organizate amerikane.

Sipas Institutit për Studimin e Luftës, Ukraina është në pozitë të mirë që t’i realizojë planet e saj për të përmbushur mungesën e armatimeve që nuk vinë nga Perëndimi.

“Ukraina është shumë e industrializuar, me një popullatë shumë të arsimuar dhe të sofistikuar në aspektin teknik,” tha të dielën instituti. “Kishte një industri të madhe të armëve gjatë periudhës sovjetike dhe vazhdoi të jetë një eksportues i rëndësishëm i armëve pas pavarësisë.”/ VOA