Ukraina e sheh si akt jomiqësor gatishmërinë e Hungarisë për ta paguar gazin rus në rubla

Tensionet mes Ukrainës dhe Hungarisë pas vendimit të kësaj të fundit që ta paguajë gazin rus në rublën ruse nuk është që ka shënuar zbutje as sot në mëngjes.

Ministria e Jashtme e Ukrainës ka thënë këtë mëngjes se e konsideron gatishmërinë e Hungarisë për ta paguar gazin rus në rubla një “akt jomiqësor”.

Ukraina tha gjithashtu se qëndrimi i Hungarisë mbi akuzat për mizoritë ruse forcon ndjenjën e mosndëshkimit të Rusisë dhe e inkurajon Rusinë “të kryejë mizori të reja kundër ukrainasve”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko tha se “nëse Hungaria dëshiron vërtet të ndihmojë në përfundimin e luftës, duhet ta bëjë këtë duke e ndaluar shkatërrimin e unitetit në BE, t’i mbështesë sanksionet e reja anti-ruse, të ofrojë ndihmë ushtarake për Ukrainën dhe të mos krijojë burime shtesë financimi për makinën ushtarake të Rusisë. Nuk është kurrë vonë për t’u futur në anën e duhur të historisë”

Nga ana e tyre, ministri i jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, ka konfirmuar se karburanti për termocentralet bërthamore të Hungarisë ka ardhur nga ajri nga Rusia. Sulmi rus në Ukrainë i ka bërë të pamundura dërgesat me hekurudhë.

Ai ka ritheksuar se Hungaria nuk i mbështet propozimet për sanksione evropiane për energjinë kundër Rusisë.

Ai shtoi se vendosja e çdo sanksioni mbi aktivitetet që lidhen me energjinë bërthamore do të ishte gjithashtu një “vijë e kuqe” për Hungarinë.

Ka pasur një tension në rritje mes Hungarisë dhe Ukrainës ditët e fundit.

Viktor Orban e përshkroi presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenskiy si një nga armiqtë që ai “e mbifuqizoi” me fitoren e tij zgjedhore në fundjavë.

Nga ana e tij, Zelenskiy tha se Orban ishte i frikësuar nga Moska dhe duhej të zgjidhte midis Rusisë dhe “botës tjetër”.

Të dyja vendet ndajnë rreth 135 km kufi, afërsisht duke ndjekur lumin Tiza në perëndim të Ukrainës./The Guardian