U kërkua që anëtarësimi i Kosovës në BE të ndahet nga dialogu, Brukseli i përgjigjet ekzekutivit kosovar

Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano u është përgjigjur kërkesave të Qeverisë së Kosovës që të ndahet procesi i anëtarësimit të Kosovës në BE, me dialogun me Serbinë.

Stano tha se rruga europiane e Kosovës dhe Serbisë shkon përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja teksa theksoi se nëse nuk ka progres në dialog nënkupton që s’ka progres as në procesin e anëtarësimit.

“Bashkimi Europian ishte shumë i qartë në shumë raste, por edhe në dokumente ligjore se rruga e Kosovës dhe e Serbisë në BE kalon përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Me fjalë të tjera, mos nëse nuk ka përparim në dialog do të thotë se nuk ka as përparim në procesin e anëtarësimit në BE, kjo është shumë e qartë”- deklaroi Stano në një konferencë për media.

Ai u shpreh se dialogu dhe procesi i anëtarësimit për Kosovën dhe Serbinë, janë të lidhura në mënyrë të pashmangshme dhe janë të pandara.

“Është e përcaktuar shumë qartë, se çka BE-ja dhe vendet anëtare presin kur vie fjala tek procesi i anëtarësimit dhe dialogu. Këto janë dy procese, në fakt është i njëjti proces. Dialogu dhe procesi i anëtarësimit për Kosovën dhe Serbinë, janë të lidhura në mënyrë të pashmangshme dhe të pandara”- shtoi Stano.

Në lidhje me sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, zëdhënësi i BE-tha ka thënë se janë  duke pritur rezultatet përfundimtare nga autoritet kosovare, të cilat e kanë në dorë hetimin e plotë zyrtar.

“Për Banjskën nuk kam diçka të re që mund të them. BE-ja ende pret raportin final të hetimit që po bëhet nga autoritetet kosovare. Hetimet zyrtare janë në dorë të autoriteteve të Kosovës, sapo të shohim rezultatet finale, ne sigurisht që do i analizojmë, rishikojmë ato dhe do të nxjerrim pasojat e nevojshme pa komentuar vërejtjet individuale nga askush në një kontekst specifik”- tha Stano.

“Është shumë e qartë se BE-ja pret një bashkëpunim të pakushtëzuar nga të gjithë ata që mund të kontribuojnë për të hedhur dritë mbi atë që ka ndodhur në të vërtetë, kush janë bashkëpunëtorët, kush e organizoi dhe kush mori pjesë. Qëndrimi ynë është shumë i qartë”- përfundoi ai.

Kryeministri i  Kosovës, Albin Kurti në samitin në Shkup që u mbajt të hënën, deklaroi se sa herë që i vjen mundësia kërkon që të ndahet procesi i anëtarësimit të Kosovës në BE nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

“Duhet të ndahet procesi i anëtarësimit të Kosovës në BE nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. E kuptoj se BE-ja në thelb e ka fqinjësinë e mirë, por duhet kuptuar se nuk është kollaj të normalizohen marrëdhëniet me një shtet që nuk e ka prioritet as perëndimin as demokracinë”- ka thënë Kurti.

E njëjta kërkesë u ri përsërit të mërkurën nga zëvendësi i tij, Besnik Bislimi i cili në një konferencë të përbashkët për media me ministrin çek për Çështje Europiane, Martin Dvorak, tha se procesi i dialogut, duhet të ndahet nga integrimi europian i Kosovës.

Ndryshe u shpreh ministri Dvorak, i cili theksoi se ingerimi i mëtejmë i Kosovës në unionin eurpian është i lidhur ngushtë me dialogun me Beograin.