Foto: Ilustrim
U gjykuan për zvogëlim të kilometrazhit të veturave, njëri u akuzua për mashtrim e tjetri për falsifikim, morën dënime të ndryshme
Dy ngjarje pothuajse identike kanë ndodhur në distancën kohore prej 1 viti, përkatësisht njëra në korrik të vitit të kaluar, dhe tjetra në korrik të këtij viti.
Dy persona po pretendohet se në mënyrë të kundërligjshme ia kanë ulur kilometrazhin veturave.
Për këtë veprim ilegal, ata janë ulur në bankën e të akuzuarve.
Por, këto raste pothuajse identike, Prokuroria e Ferizajit i ka kualifikuar ndryshe dhe, rrjedhimisht të akuzuarit janë dënuar nga Gjykata me dënime te ndryshme.
Rasti i parë, ai i vitit të shkuar, ishte kryer nga G.M. nga Ferizaj, i cili sipas aktgjykimit është me profesion tregtar dhe në gjendje të mirë ekonomike.
Gjykata konstatoi se i njëjti me qëllim të shfrytëzimit si origjinal i kishte ndryshuar kilometrat e kaluara automjetit Audi 4 G.A6, i prodhuar në vitin 2015, me ç’rast një qendër e kontrollit teknik kishte vërtetuar se pas manipulimit kilometrat e veturës kishin zbritur nga 253,545 km në 222,351 km.
Gjyqtarja e vetme, Fitore Daci, e gjeti fajtor G.M. duke e ngarkuar me veprën penale të falsifikimit të dokumenteve, e paraparë me nenit 390 të Kodit Penal.
Dënimi sipas Kodit Penal për këtë vepër është gjoba ose burgimi deri në katër vite.
Në rastin konkret gjyqtarja Daci i shqiptoi të akuzuarit dënimin me gjobë 300 euro.
Vepra penale e dytë, e cila u krye në muajin e shkuar, u bë nga M. S. nga komuna e Fushë-Kosovës, i cili sipas aktgjykimit, është me profesion instruktor dhe me gjendje të mesme ekonomike.
Sipas arsyetimit të Gjykatës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për veten apo personin tjetër, M.S. e kishte mashtruar të dëmtuarin N.R., duke ia shitur veturën Volkswagen VW, modeli 2K, i prodhuar në vitin 2012, me kilometrazh të ndryshuar prej 274,692 km.
Por kontrolli teknik i datës 6 shkurt 2021 tregonte që qysh atëherë vetura kishte 353,263 km, pra 78,571 km më shumë sesa tani.
Gjyqtari i vetëm gjykues, Adem Shabani, e shpalli fajtor M. S.-në për veprën penale – mashtrim.
Kjo shkelje parashihet me paragrafin 1, të nenit 323, të Kodit Penal, dhe dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre muaj deri në pesë vjet.
Aktgjykimi e detyroi M. S.-në të paguajë 200 euro si dhe dënim me burgim në kohëzgjatje prej 90 ditëve. Por me pëlqimin e të akuzuarit dënimi me burgim iu konvertua në gjobë prej 400 eurosh, kështu që detyrimi përfundimtar për të akuzuarin del të jetë dënimi unik prej 600 eurosh.
Në të dy rastet të akuzuarit kishin pranuar vullnetarisht fajësinë.
Në rastin e parë prokurori Besnik Nuredini kishte propozuar pranimin e fajësisë nga ana e G. M., kurse në rastin e dytë prokurori Fatos Ajvazi ka deklaruar se nuk e kundërshton pranimin e fajësisë nga i pandehuri M.S.
Në të dy rastet gjyqtarët kishin gjetur të njëjtat rrethana lehtësuese.
Prej rrethanave lehtësuese, sipas aktgjykimeve respektive, gjykatat kishin vlerësuar pranimin e fajësisë nga ana e të pandehurve, pendimin për rastin e ndodhur, premtimin se nuk do të përsëriten veprime të tilla kundërligjore.
Në asnjërin rast nuk ishin gjetur rrethana rënduese.
Ndaj në kuptim të këtyre rrethanave ishte krijuar bindja që dënimet e shqiptuara do të arrin efektin dhe qëllimin e dëshiruar.