Ish-Presidenti i ShBA-së, Donald Trump FOTO-REL

Trump akuzohet për keqpërdorim të dokumenteve të klasifikuara

Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është paditur nga një juri e madhe federale për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara të qeverisë dhe për pengim të drejtësisë, sipas një avokati të ish-presidentit të SHBA-së dhe një burimi tjetër të njohur me këtë çështje.

Çështja penale, e ngritur nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, përbën një tjetër pengesë ligjore për Trump, ndërkohë që i njëjti kërkon ta rifitojë presidencën e SHBA-së vitin e ardhshëm. Trump tashmë përballet me një çështje penale në Nju Jork që do të procedojë me gjyq në mars të vitit të ardhshëm.

Trump ka thënë në mediat sociale se është ftuar të paraqitet në gjykatën federale në Miami të martën. “UNË JAM NJERI I PAFAJSHËM!” ka shkruar Trump në platformën e tij “Truth Social”.

Trump përballet me shtatë akuza penale në çështjen federale, ka thënë burimi i lartcekur, i cili ka folur në kushte anonimiteti.

Aktakuza mbetet e vulosur, madje as vetë Trump nuk e ka parë ende se çfarë thotë. Ekipi i tij ligjor u njoftua për shtatë akuzat si pjesë e një ftese përmes së cilës urdhërohej Trump që të paraqitej në gjykatë, tha burimi.

Departamenti i Drejtësisë amerikane ka hetuar nëse Trump i ka keqpërdorur dokumentet e klasifikuara që i kishte mbajtur pas largimit nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2021.

Hetuesit patën sekuestruar rreth 13,000 dokumente nga pasuria e Trump në Mar-a-Lago në Palm Beach, Florida, gati një vit më parë. Njëqind sosh u shënuan si të klasifikuara, edhe pse një nga avokatët e Trump kishte thënë më parë se të gjitha të dhënat me shenja të klasifikuara i ishin kthyer qeverisë.

Trump e ka mbrojtur më parë mbajtjen e tij të dokumenteve, duke sugjeruar se i ka deklasifikuar ato kur ishte president. Megjithatë, Trump nuk ka ofruar prova për këtë dhe avokatët e tij kanë refuzuar ta paraqesin atë argument në dosjet gjyqësore.

Është hera e dytë që Trump, ish-presidenti i parë në historinë e SHBA-së që përballet me akuza penale, dhe paditet.

Në prill, ai u deklarua i pafajshëm për 34 akuza për falsifikim të të dhënave të biznesit në lidhje me paratë e paguara në këmbim të heshtjes së një ylli porno përpara zgjedhjeve të 2016-ës.

Duke kryer detyrën e presidentit nga viti 2017 deri në vitin 2021, Trump është kandidati kryesor në garën për nominimin presidencial republikan në vitin 2024.

Përgjatë viteve, Trump ka treguar një aftësi të çuditshme për të përballuar polemika që mund t’i përmbysin politikanët e tjerë. Ai e përshkruan veten si viktimë e një gjuetie shtrigash të motivuara politikisht dhe e akuzon Departamentin e Drejtësisë për paragjykime partiake.

Epërsia e Trump është rritur ndaj rivalëve të tij në garën e nominimit republikan qysh kur u padit në çështjen e Nju Jorkut, tregon një sondazh i Reuters/Ipsos.

Problemet ligjore të Trump veç sa po shtohen edhe më shumë.

Në maj të ketij viti, një juri në gjykatën federale në Manhattan vendosi në një padi civile se Trump duhet të paguajë 5 milionë dollarë dëmshpërblim për abuzimin seksual të ish-kolumnistes së revistës Elle E. Jean Carroll dhe më pastaj edhe për shpifje duke e quajtur gënjeshtare.

Trump gjithashtu përballet me një hetim penal nga një prokuror i qarkut në shtetin e Gjeorgjia në lidhje me përpjekjet e tij për ta zhbërë humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020 në atë shtet./Reuters