Foto: ZKM

Tri vite qeverisje, Kurti: Marrëdhëniet ekonomike me Shqipërinë janë forcuar më shumë se kurrë më parë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për marrëdhëniet me Shqipërinë teksa ka vazhduar publikimin e të dhënave të punës së tij gjatë tri viteve qeverisje.

Më 31.03.2024 përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se me Shqipërinë ka gjithmonë vend për përafrim, tema e përbashkim në fusha për përfitim të dyanshëm.

Sipas tij, në vitin 2023 Shqipëria ishte partneri kryesor tregtar i Kosovës.

“Me hapjen e dy zyrave doganore të Republikës së Kosovës në Durrës dhe Porto Romano, fituam qasje në det nga e cila përfitojnë bizneset dhe ekonomia jonë. Investimet nga Shqipëria dhe shkëmbimet tregtare janë rritur e po rriten. Në 2023, Shqipëria u bë partneri ynë kryesor tregtar. E këtë vit, shënuam një moment historik në bashkëpunimit tonë në sektorin energjetik”- ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se kandidatura e suksesshme e Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030 u bë e mundshme pikërisht me ndihmën dhe bashkëpunimin me Shqipërinë.

Ndërsa ka thënë se prej marrëveshjeve bilaterale, 58 u nënshkruan gjatë tri viteve.

Kurti ka thënë se pajisja me leje qëndrim tashmë merret më shpejt e me më pak procedura.

“Për mbi 200 mijë banorët e brezit tonë të përbashkët kufitar lëvizin më lirë me funksionalizimin e 26 vendkalimeve të veçanta. E ndërmjet fshatrave ndërkufitare kemi filluar të ndërtojmë rrugë që na lidhin edhe më shumë, edhe më lehtë, për më shumë shkëmbime e më shumë turizëm malor”- është shprehur Kurti.

Ai ka thënë se ndër projektet më të rëndësishme mbarëkombëtare është marrëveshja për ndërtimin e hekurudhës Prishtinë-Durrës.

“Kosova dhe Shqipëria janë gjuhë dhe kulturë, arte dhe tradita, të mishëruara në brendi të kombit tonë. Abetarja e unifikuar dhe fillimi i punës për Enciklopedinë Shqiptare, i vulosin vlerat e historinë tonë të përbashkët”- ka thënë Kurti.