Ilustrim
Tri raste të dhunës në familje raportohen në 24 orët e fundit në Kosovë
Tri raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës në 24 orët e fundit dhe në lidhje me këto raste janë arrestuar tre persona të dyshuar.
Dy raste raportohet të kenë ndodhur në Prishtinë dhe një në Deçan. Në Prishtinë, Policia ka arrestuar një burrë nën dyshimin se pas një mosmarrëveshje kishte sulmuar fizikisht një grua.
Sipas raportit policor, viktima ka pranuar trajtim mjekësor dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Gjithashtu në Prishtinë, është raportuar një rast tjetër i dhunës në familje. Një grua ka raportuar në Polici se kishte pasur sulm fizik nga një burrë më 25 nëntor të këtij viti.
I dyshuari, sipas Policisë është arrestuar më 3 dhjetor dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Kurse në Deçan, forcat e rendit kanë arrestuar një person që dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje.
Në raportin policor bëhet e ditur se, viktima është dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe pas trajtimit mjekësor, është dërguar në shtëpi.
Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.