Komuna e Kamenicës. Foto: Kallxo.com

Tri fshatra të Kamenicës shërohen nga COVID-19, mbesin 11 të infektuar aktivë

Komuna e Kamenicës ka njoftuar qytetarët për gjendjen me COVID-19 në këtë qytet.

Sipas njoftimit rasti i parë në këtë komunë është shfaqur më datën 30 mars, duke thënë që nga 39 raste, 28 janë shëruar plotësisht, ndërsa vetëm 11 raste janë aktive.

“Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik me datën 30 mars 2020, ka njoftuar për rastin e parë pozitiv në Komunën e Kamenicës. E deri më sot Komuna e Kamenicës ka pasur gjithsej 39 raste pozitive me COVID-19, në katër loakcione: Topanicë, Hodonoc, Berivojcë e Poliqkë. Mirëpo, nga këto 39 raste, janë të shëruar 28 persona, ku mbetën vetëm 11 raste aktive”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit Fshatrat Topanicë, Hodonoc dhe Berivojcë janë shëruar plotësisht, duke bërë kështu që vetëm Poliqka të mbetet me 11 raste aktive.

Po ashtu bëhet e ditur se në Komunën e Kamenicës janë bërë gjithsej 167 teste, ku momentalisht janë 86 persona në izolim dhe vetëm një person është i shtrirë në spital.

Këtë situatë në Komunë e Kamenicës koordinatori i Shtabit Emergjent Komunal, Ramadan Basha e ka cilësuar si të mirë, dhe se duhet edhe më shumë kujdes e disiplinë që Kamenica t’i kthehet normalitetit.

“Kamenica po i rikthehet normalitetit dhe gjallërisë së dikurshme, na duhet edhe pak disiplinë dhe kujdese. Respektoni rekomandimet e IKSHPK”, citohet të ketë thënë Basha.

Ka tash e disa ditë në Kosovë që numri i personave të shëruar nga COVID-19 është më i madh sesa i të infektuarve.

Aktualisht nga COVID-19 janë shëruar 561 persona.