Dinarë serbë Foto: Milica Stojanovic | BIRN

Tri alternativat e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë për zgjidhjen e çështjes së dinarit

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) ka ofruar tri alternativa për zgjidhjen e çështjes së përdorimit të dinarit, pas hyrjes në fuqi të Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila e përcakton që e vetmja valutë që mund të përdoret si mjet pagese në Kosovë nga 01.02.2024 është euro.

Lidhur me këtë zhvillim, OEAK ka reaguar duke thënë se “është esenciale të thuhet që përderisa euro mban statusin e mjetit ligjor të pagesave në Kosovë, kjo nuk përjashton përdorimin e valutave të tjera në transaksionet, në rastet kur palët e përfshira arrijnë dakordim reciprok”.

Me këtë rast, Odës Ekonomike Amerikane ka ofruar tri alternativa për transaksionet ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë.

“Shfrytëzimi i institucioneve të transferit të parave për transferimin e fondeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Edhe pse konsiderohet si fizibil, ky opsion mund të jetë më pak praktik dhe më i kushtueshëm për individët”, është alternativa e parë.

“Krijimi i një llogarie bankare nga Qeveria e Serbisë në Serbi për transaksione ndërshtetërore me llogaritë përkatëse të denominuara në dinarë në bankat e Kosovës. Kjo metodë ofron një zgjidhje praktike nëpërmjet marrëdhënieve ekzistuese bankare, me gjithë kompleksitet e mundshme logjistike”, është ofruar si alternativë e dytë.

“Transferet direkte të fondeve nga ndonjë bankë të Serbisë në ndonjë bankë të përcaktuar në Kosovë për shpërndarje në llogaritë e përfituesve individualë. Ky opsion thjeshton procesin duke siguruar përputhshmërinë me kërkesat rregullative”, është alternativa e tretë e propozuar nga OAK.

Në të gjitha alternativat, sipas kësaj ode, është e rëndësisë kruciale të adresohet licencimi i institucioneve për importim të valutave, për të siguruar një furnizim adekuat të dinarëve në Kosovë.

“Duke qenë një avokuese për një mjedis të favorshëm biznesi dhe zhvillim ekonomik në Kosovë, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë thekson rëndësinë e masave të balancuara rregullative, të cilat nxisin gjithëpërfshirjen financiare dhe lehtësojnë aktivitetet ekonomike ndërshtetërore. Oda Amerikane kërkon nga të gjithë hisedarët të rishqyrtojnë implikimet e rregullores së miratuar së fundmi dhe të eksplorojnë zgjidhje bashkëpunuese të cilat mbështesin objektivat rregullative si dhe pragmatizmin ekonomik”, thuhet në reagimin e OAK.

Kundër zbatimit të Rregullores së BQK-së, më 12.02.2024 qytetarë të komunitetit serb në Kosovë protestuan në Mitrovicën e Veriut.

Një pjesë e faktorit ndërkombëtar nga ana e tyre i kanë kërkuar Kosovës që të shtyjë zbatimin e rregullores, duke thënë se duhet më shumë kohë për adaptimin e komunitetit serb me vendimin.

Qeveria e Kosovës ka thënë se përgjatë shkurtit do të ketë fushata për informimin e serbëve për këtë vendim dhe në këtë kuadër, Kurti më 11.02.2024 iu adresua qytetarëve serbë, në gjuhën serbe, duke thënë se vendimi nuk e ndalon Serbinë që të vazhdojë të ndihmojë serbët në Kosovë.

Ndërkohë, BQK ka lansuar një plan 10 pikësh për zbatim të lehtësuar të rregullores.