Tradita shqiptare e shtegtimit të bagëtive të imëta do të mbrohet nga UNESCO

Komiteti për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore përfshiu traditën shqiptare të shtegtimit të bagëtive në listën e pasurive botërore që mbrohen nga UNESCO.
Ministrja shqiptare e Kulturës, Elva Margariti tha të mërkurën se Shqipëria kishte aplikuar në një dosje të përbashkët me Spanjën, Andorën, Kroacinë, Francën, Luksemburgun dhe Rumaninë, vende që e kanë të njëjtën traditë.
Shtegtimi i bagëtive është një traditë në Shqipëri dhe lidhet me tufat e mëdha të bagëtive të imëta që lëvizin nga kullotat verore drejt atyre dimërore dhe anasjelltas.
Barinjtë e Sarandës me tufat e tyre të deleve shtegtojnë në Malin e Tomorrit dhe udhëtimi i tyre zgjat për mbi dy javë dhe po kështu ndodh me qindra tufa bagëtish në zona të ndryshme të vendit që lëvizin me ritet që vijnë nga shekujt.
Tufave u prijnë bagëtitë e mëdha me këmborët e mëdha të varura në qafë, qentë e staneve që kujdesen për udhëtimin e sigurtë të tufave, ndërsa kuajt dhe mushkat mbartin gjithë pajisjet e staneve ku jeta e barinjve zhvendoset për mbi tre muaj.
Nuk mungojnë në arsenalin e mjeteve jetësore të shtegtimit edhe veglat muzikore, si fyejt dhe çiftelitë dhe mjetet që barinjtë përdorin për gdhendjen e drurit, për të kaluar tre muajt e shtegtimit.
Blegtoria në Shqipëri, sidomos në zonat e thella, përballet me vështirësi të mëdha për shkak të emigrimit të popullsisë, por edhe mospërfshirjes së të rinjve në këtë sektor.
Numri i bagëtive të imëta është në rënie, vit pas viti, duke ndikuar edhe në uljen e prodhimeve blegtorale.
Shqipëria ka aplikuar për mbrojtje nga UNESCO edhe të traditës së valleve të bjeshkëve të Tropojës dhe këndimin me lahutë të këngëve të kreshnikëve, ndërkohë që një vit më parë “xhubleta” shqiptare u pranua në listën e pasurive botërore duke iu shtuar “isopolifonisë” që ishte pranuar disa vite më parë./VOA