Dinarë serbë Foto: Milica Stojanovic | BIRN

The Guardian: Kosova akuzohet se po i ngrit tensionet etnike duke e ndaluar përdorimin e dinarit serb

Shtetet e Bashkuara i kanë kritikuar autoritetet e Kosovës për atë që e perceptojnë si “përshkallëzim të panevojshëm të tensioneve etnike”. Kjo kritikë si përgjigje ndaj vendimit të qeverisë për ta ndaluar monedhën e Serbisë dhe për ta inkurajuar pakicën e saj serbe që ta adoptojë euron.

Ky vendim nga ana e autoriteteve të Kosovës u shoqërua me bastisje të policisë në katër organizata që vepronin në zonat e banuara nga serbët, duke ngritur shqetësime rreth një përkeqësimi të mundshëm të situatës së sigurisë.

Zyrtarët serbë argumentojnë se mbyllja e papritur e këtyre organizatave do të ndikojë negativisht në jetën e përditshme të serbëve etnikë që mbështeten në shërbimet sociale.

Edhe Bashkimi Evropian (BE) ka shprehur mosmiratimin e tij, duke i karakterizuar veprimet e Kosovës si “të njëanshme” dhe duke pasur frikë nga tendosja e mëtejshme në marrëdhëniet me Serbinë.

Josep Borrell, përfaqësuesi i lartë i BE-së për punët e jashtme, shprehu shqetësimin, duke thënë se “Këta hapa janë shqetësues sepse nuk po kontribuojnë në de-përshkallëzimin e situatës. Ato janë marrë në mënyrë të njëanshme pa nivelin e nevojshëm të konsultimit paraprak për të parandaluar ndikimin negativ që mund të kenë në terren”.

Zyrtarët nga BE-ja sugjerojnë që çështjet rreth organizatave të synuara, të konsideruara si struktura paralele të financuara nga Beogradi, duhet të adresohen përmes bisedimeve të normalizimit të ndërmjetësuara nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, dialogu ka ngecur që nga koha kur një përleshje e armatosur midis militantëve serbë dhe policisë së Kosovës rezultoi në katër të vdekur në shtator të vitit të kaluar.

Euro ka qenë monedha de fakto në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008. Përkundër kësaj, minoriteti etnik serb, që përbën rreth 5% të popullsisë, vazhdon ta përdorë dinarin, duke reflektuar refuzimin e tyre për ta njohur shtetësinë e Kosovës. Dhjetëra mijëra persona në 10 komuna varen nga pensionet, pagat dhe përfitimet sociale të shprehura në dinarë të shpërndara nga Beogradi.

Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Kosovës që ta shtyjë vendimin e saj vetëm në euro, duke përmendur kohën e pamjaftueshme për përshtatje. Ambasadorët perëndimorë në Beograd janë veçanërisht të shqetësuar për ndikimin në shkolla dhe spitale, ku “asnjë proces alternativ nuk duket i zbatueshëm”.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, shprehu shqetësimin për përpjekjet e policisë së Kosovës për sekuestrimin e automjeteve që transportonin dinarë serbë, të shpërndara për “pagesat e përfitimeve sociale nga Serbia”, duke thënë se veprime të tilla i rrisin tensionet etnike në mënyrë të panevojshme.

Në përgjigje të ndalimit të monedhës, presidenti serb Aleksandar Vuçiq e ka akuzuar Kosovën për përpjekje për spastrim etnik të serbëve dhe e përshkroi atë si një “sulm kriminal” kundër pakicës serbe duke u zotuar njëkohësisht se do ta  injorojë këtë vendim dhe njoftoi planet për të kërkuar një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për t’i diskutuar tensionet në rritje me Kosovën.

Ndalimi i dinarit nuk është masa e vetme që ka zemëruar Beogradin; Autoritetet shqiptare etnike i kanë hequr gjithashtu flamujt dhe tabelat serbe nga ndërtesat publike dhe kanë ndaluar automjetet me targa serbe me qëllim që ta vendosin kontrollin mbi territorin.

Burime pranë qeverisë së Kosovës pohojnë se zhvendosja në euro në veri ishte nxitur nga shqetësimet rreth parave të falsifikuara dhe flukseve të parave të paligjshme, sesa nga dëshira për të provokuar qeverinë serbe.

Ata argumentojnë se institucionet paralele të bastisura nga policia kosovare ishin “të paligjshme” dhe ishin rënë dakord të mbylleshin si pjesë e marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 me Serbinë./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala