Thaçi takon ambasadorët e Quintit dhe të BE-së, dëshiron qeveri "që sjell stabilitet"

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar sot ambasadorët e Kuintit dhe atë të BE-së në Prishtinë, për t’i informuar për hapat që do t’i ndërmarrë pas shkarkimit të Qeverisë Kurti.

Siç njofton Presidenca, Thaçi u shpreh se pas shkarkimit të Qeverisë nga Kuvendi i Kosovës, do të marrë hapa gjithnjë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, me ligjet e Kosovës dhe me detyrat si President.

Thaçi shtoi se gjatë kësaj jave do të ketë konsultime me të gjitha partitë parlamentare, për t’i marrë sugjerimet dhe këshillat e tyre se cilën rrugë duhet ndjekur.

Ai ka thënë do të vendosë për opsionin më të mirë për të dalë nga kjo situatë.

Sipas njoftimit, Thaçi ka theksuar se Kosova ka nevojë për një qeveri që do të sjellë stabilitet, unitet sa më të madh politik dhe qytetar, që do të jetë gjithëpërfshirëse dhe e orientimit të qartë euroatlantik.

Kujtojmë se më 25 mars në Kuvendin e Kosovës më 82 vota pro është votuar mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, i inicuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.