Thaçi pret në takim edhe Kadri Veselin e PDK-së

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka pritur në takim edhe kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli në kuadër të takimeve konsulative me liderët e partive politike si përpjekje për formimin e qeverisë së re të vendit.

Takimi mes Thaçit e Veselit është duke vazhduar ende.

Paraprakisht, presidenti në takime të ndara ka pritur edhe kryeministrin në detyrë Albin Kurtin dhe kreun e LDK-së Isa Mustafa.

Kurti pas takimit ka thënë se i kanë treguar presidentit qëndrimin e tyre se Kosova duhet të shkojë në zgjedhje të reja.

Në anën tjetër, Mustafa ka thënë se nuk janë për zgjedhje nacionale, por për formimin e një qeverie të re.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi  të mërkurën ka nisur takimet konsultative me liderë e partive politike parlamentare, si përpjekje për formimin e qeverisë së re, pas rrëzimit të ekzekutivit të Albin Kurtit nga Kuvendi i Kosovës me 25 mars.

Pas rrëzimit të Qeverisë Kurti nga mocioni i mosbesimit i inicuar nga partneri i tij qeverisës  – LDK-ja, presidenti Thaçi është deklaruar se e ka në fokus formimin e një qeverie të unitetit, stabilitetit e gjithëpërfshirëse, duke mënjanuar mundësinë për shkuarjen ne zgjedhje të jashtëzakonshme, për shkak të gjendjes së krijuar nga CoVid-19.