Foto: Kallxo.com

Thaçi në Reçak: Serbia të kërkojë falje, ndërkombëtarët ta vizitojnë Reçakun

Me dy porosi, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e ka shënuar vizitën e tij në Reçak të Shtimes, fshatin në të cilin forcat serbe më 15 janar të vitit 1999 vranë 45 civile shqiptarë.

Porosia e parë për lidershipin në Serbi që të kërkojë falje për krimet e kryera në Kosovë gjatë luftës dhe e dyta për ndërkombëtarët që ta vizitojnë këtë fshat.

Vizita e Thaçit në Reçak erdhi në ditët kur masakra e kryer gati 21 vjet më parë është kthyer në polemika politike meqë Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e quajti atë se një ngjarje “të fabrikuar”.

“Reçaku është pika kulminante e masakrave të shtetit të Serbisë që ka kryer kundër popullatës civile në Kosovë në kuadër të fushatës së gjenocidit të ushtruar nga shteti i Serbisë. Serbia ka kryer 400 masakra në Kosovë, ka vrarë 1,300 fëmijë ndërsa aparati shtetëror i tyre ka dhunuar rreth 20 mijë gra. Në të njëjtën kohë kemi rreth 13 mijë shqiptareë civilë të vrarë”, tha Thaçi pasi eci pranë kompleksit memorial të Reçakut në të cilin janë varrosur trupat e të vrarëve nga forcat serbe.

Foto: Kallxo.com

“Gjithmonë duhet ta kujtojmë të kaluarën, të ecim të sigurt përpara në një të ardhme të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim, për forcimin e shtetit dhe për të ardhmen tonë euro-atlantike”, tha ai.

Sipas Thaçit, Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë por u shpreh i zhgënjyer që përgjegjësit për këto krime nuk janë dërguar para drejtësisë.

“E ardhmja nuk ndërtohet duke mohuar krimet dhe duke etiketuar apo fyer edhe të vrarët civilë, e ardhmja ndërtohet duke pranuar përgjegjësinë dhe duke kërkuar falje lidershipi i Serbisë për krimet që ka kryer në shtetin e Kosovës”, tha Thaçi.

“Për fat të keq, më duhet ta them me zhgënjim, se edhe heshtja e ndërkombëtarëve dhe mosvizita e tyre sidomos këtu në Reçak, në një formë a formën tjetër, e ka amnistuar edhe lidershipin aktual të Serbisë të pretendojë në mohimin e krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit në Kosovë”, shtoi ai.

“Falënderoj ambasadën e Zvicrës që ka qenë shumë e qartë në formulimet e veta sa i përket masakrës në Reçak. Krimi në Recak është krim kundër njerëzimit. Këtu nuk ka pasur ndeshje mes simpatizantëve të dy ekipeve sportive por ka qenë një ushtri e udhëhequr nga lidershipi i Serbisë që ka kryer masakër ndaj popullatës civile”, tha Presidenti i Kosovës.