Testet PCR për COVID-19 tashmë do të bëhen edhe në Gjilan

Sot në Komunën e Gjilanit është inauguruar laboratori për testime me metodon RT-PCR për virusin COVID-19, në Qendrën Rajonale të Shëndetit Publik në Gjilan.

Pjesëmarrës në këtë inaguruim ishin kryetari Lutfi Haziri, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe drejtori i IKShPK-së, Naser Ramandani.

I pari i Gjilanit, Lutft Haziri, e ka konsideruar ditë historike për Gjilanin.

“Kjo është vizita e tretë e ministrit Zemaj në Gjilan, në kuadër të parandalimit të COVID-19 dhe jemi falënderues si institucione. Është ditë e jashtëzakonshme për Gjilanin sepse në kohë rekorde janë realizuar dy programe të mëdha, ky i laboratorit për COVID-19 me metodën RT-PCR dhe rezervuari i oksigjenit”, ka thënë ndër të tjera Haziri.

Ndërsa Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se ndjehet i lumtur që janë realizuar këto dy programe të rëndësishme për shëndetësinë në Gjilan.

“Sot është përurimi i departamentit të mikrobilologjisë, për t’iu mundësuar qytetarëve të rajonit të Gjilanit testimet RT-PCR. Ky angazhim i përbashkët tregon që ne edhe në ditët më të vështira mund t’ia dalimin me punë të mirëfilltë dhe me dinamik. Kjo do të jetë shumë më e lehtë për qytetarët, për kryetarin Haziri dhe për institucionet tjera. Kemi funsionalizuar edhe problemin me oksigjen dhe sot mjekët e pacientët nuk frikësohen më për këtë”, citohet të ketë thënë ministri Zemaj.