“Termokos” e përmbyll sezonin e ngrohjes 2022/2023. FOTO: Përparim Rama/Facebook.

'Termokos' e përmbyll sezonin e ngrohjes, furnizimi do të vazhdojë në QKUK

Ngrohtorja e qytetit të Prishtinës, “Termokos” ka përfunduar sot sezonin e ngrohjes, mirëpo furnizimi me ngrohje do të vazhdojë në Qendrën Klinike e Universitare të Kosovës (QKUK).

Ndërprerja e ngrohjes u shoqërua me ceremoni solemne, ku i pranishëm ishte edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

“Ngrohja në QKUK do të vazhdojë pasi që kemi aty pacientë që kanë nevojë shtesë për ngrohje dhe ajo do të vazhdojë punën”- tha Rama.

Ai u shpreh i kënaqur me punën që ka bërë Termokosi.

“Ka qenë sezona më efikase dhe më e gjatë e gjithë historikut të Termokosi -it. Kemi filluar më herët, po e përfundojmë më vonë, dhe gjatë gjithë kësaj kohe nuk kemi pasur asnjë problem”- shtoi kryetari.

“Termokos” e përmbyll sezonin e ngrohjes 2022/2023. FOTO: Përparim Rama/Facebook.

Ndërkaq, Kryeshefi ekzekutiv i Termokosit, Fisnik Osmani theksoi se kjo ndërmarrje ka ofruar shërbim për 198 ditë, pa ndërprerje.

“Sot Termokosi po e mbyll suksesshëm sezonin. Po bëhemi gati të kemi një sezonë edhe më të suksesshëm vitin e ardhshëm. Po e përmbyllim sezonin me 198 ditë aktive, pas asnjë ditë ndërprerje” – tha ai.

Osmani shtoi se Termokosi po ec me një performancë të mirë në aspektin teknik.

“Prej 15 tetor2022 e tutje Termokosi është zgjeruar me mbi 513 mijë metra katror të ri që i kemi futur në sistem…, kemi diku 11% më pak humbje të ujit, që i bie 4% më tepër liferimi të energjisë prej vitit paraprak.”- tha kryeshefi.

Më 14 prill “Termokos”  kishte njoftuar se për shkak të temperaturave do të bëhej zgjatja e sezonit ngrohës 2022/2023 deri pas datës 15 prill.