Teatri ‘Adriana Abdullahu' nderohet nga Komuna e Ferizajt

Komuna e Ferizajt ka ndarë një mirënjohje për teatrin e qytetit “Adriana Abdullahu” për sukseset e arritura gjatë vitit 2019 në artin skenik.

Përmes një njoftimi në Facebook, menaxhmenti i teatrit “Adriana Abdullahu” ka bërë të ditur se Komuna e Ferizajt, përkatësisht Departamenti i Kulturës, ka ndarë një mirënjohje për të nderuar punën e bërë gjatë viti 2019.

“Komuna e Ferizajt dhe Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport sot ka ndarë mirënjohje për Teatrin “Adriana” për sukseset e arritura vendore po ashtu edhe ato ndërkombëtare. Teatri ” Adriana” i falënderon përzemërsisht të gjithë ata që kontribuan në arritjet e këtij viti që po lëmë pas”, thuhet në njoftimin  e teatrit.

Teatri funksionon nën ombrellën e Komunës së Ferizajt.

Përveç atyre në repertor të rregullt gjatë 2019 shfaqjet e këtij teatri janë prezantuar edhe në skenat e teatrove tjera në vend, por edhe jashtë.

Teatri “Adriana” është organizator i Festivalit të Teatrove që këtë vit kremtoi edicionin e 49-të.

Në shtator të këtij viti shfaqja “Kopraci” e këtij teatri, me regji të Elmaze Nurës, mori pjesë në Festivalin e Teatrove në Kajro të Egjiptit.

Vitin 2019 teatri “Adriana” e mbylli me premierën “Derisa vdekja nuk na ndanë”, me regji të Fatos Berishës, që u shfaq më 26 dhjetor.